Përderisa shumë nxënës në Kosovë shtatori i ka gëzuar për ta filluar vitin e ri shkollor, një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për të paktën dy nxënës në komunën e Shtimes.
Dy nxënës që ia kishin mësyrë shkollës për ditën e parë të këtij viti të ri akademik, nuk e kanë kaluar aspak mirë këtë ditë. Ata nuk janë nxënës dembel, por sot në Shtime gjendja dukej sikurse kjo komunë të jetë në luftë.
Me çanta në krah dy nxënës shihen në një video ekskluzive të Sinjalit se si nxënësit ikin me vrap nga të shtënat me armë zjarri që disa grabitës kishin shtënë në drejtim të policëve.
Në këtë komunë një bankë ishte grabitur nga disa persona që kishin përdorur edhe armët e zjarrit. Informacionin e parë për këtë grabitje e ka dhënë një sinjalizues, ndërkaq tani për rastin është deklaruar edhe Policia.
Një punëtore e bankës është detyruar nga personat e armatosur që t’i dorëzojë paratë nga arka. Ndërsa shuma e parave të grabitura nuk dihet për momentin, njofton Policia.
Pasi janë larguar me një kombi nga lokali ku kryen grabitjen, ata kanë shtënë me armë në drejtim të automjetit të Policisë që u vu në ndjekje të tyre.
“Të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjet kombi dhe policia gjatë ndjekjes të të dyshuarve ka pasur gjuajtje me armë nga ana e të dyshuarve në drejtim të automjetit të policisë, por nuk ka pasur të lënduar. Janë duke u marrë të gjitha veprimet policore për identifikimin e personave të dyshur dhe arrestimin e tyre”, thuhet në komunikatën e Policisë./Sinjali/