Prokuroria Themelore në Pejë ka thelluar skandalin e saj lidhur me rastin e dhunimit seksual të një 15-vjeçareje në vitin 2012, raporton Gazeta Sinjali. Kjo prokurori ka iniciuar procedurë disiplinore për prokuroren Lirije Morina, e cila e ka përfaqësuar këtë lëndë.
Mirëpo, Sinjali merr vesh që kjo masë është iniciuar ndaj saj vetëm tri ditë para se ajo të pensionohet.
Ligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve parasheh që sanksionet disiplinore që mund t’u shqiptohen gjyqtarëve dhe prokurorëve, në rast të shkeljeve disiplinore janë:
- Vërejtje jopublike me shkrim
- Vërejtje publike me shkrim,
- Zvogëlim i përkohshëm i pagës deri në 50 për qind për një periudhë deri në 1 vit,
- Transferim i përkohshëm ose i përhershëm në një gjykatë ose prokurori tjetër të nivelit më të ulët,
- Propozimi për shkarkim.
Mirëpo, të gjitha këto sanksione janë të paefektshme në rastin e Morinës, e cila pensionohet pas tri ditësh.
Skandal i llojit të vet dhe e kundërligjshme është edhe thirrja e kryeprokurorit për ta rishqyrtuar rastin, pasi që asnjë rast nuk mund të rishqyrtohet kur aktgjykimi të marrë formën e prerë, siç ka ndodhur në rastin konkret, kur i akuzuari është dënuar me 8 muaj e 8 ditë burgim.
Sipas Kodit të Procedurës Penale, rasti mund të rihapet vetëm nëse konstatohet përgjegjësi penale e gjyqtarit ose prokurorit, por assesi si rezultat i shkeljeve të mundshme disiplinore./Gazeta Sinjali/