Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur sot ambasadorin suedez në Kosovë, Jonas Westerlund, në selinë qendrore të partisë. Gjatë këtij takimi, ata diskutuan për zhvillimet e fundit politike dhe situatën e ndërlikuar institucionale që po kalon vendi, siç bëri të ditur LDK përmes një komunikate për media.
Abdixhiku ka paraqitur qëndrimin e LDK-së përballë krizës aktuale dhe ka ndarë me ambasadorin idenë për formimin e një Qeverie të Tranzicionit Kombëtar.
Postimi i plotë:
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në Selinë Qendrore priti në takim ambasadorin e Suedisë në Kosovë, z. Jonas Westerlund, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit politike në vend dhe krizën institucionale në të cilën ndodhet Kosova.
Kryetari Abdixhiku e informoi ambasadorin Westerlund për qëndrimet e LDK-së lidhur me këtë situatë dhe propozimin tonë për krijimin e një Qeverie Nacionale të Tranzicionit, si një zgjidhje e përkohshme dhe e përgjegjshme për të tejkaluar krizën aktuale politike dhe për t’iu ofruar qytetarëve zgjidhje të menjëhershme të problemeve të përditshme.
Kryetari Abdixhiku theksoi se bllokada e krijuar institucionale është e papranueshme, po dëmton rëndë jetesën e qytetarëve si dhe po pengon funksionimin normal të shtetit. Ai vlerësoi se kjo gjendje e tejzgjatur, në mbledhje të Kuvendit për të 15-tën herë duke pritur rezultatin e njëjtë, e vështirëson jetën e përditshme të qytetarëve dhe minon besimin në institucionet e Republikës së Kosovës.
Kryetari Abdixhiku ritheksoi se alternativa e propozuar nga LDK është rrugëdalja më e mirë nga kriza institucionale, dhe se Kosova ka nevojë sa më shpejtë për institucione funksionale dhe për një orientim të qartë drejt normalitetit demokratik.
Gjithashtu gjatë takimit u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet të dyja vendeve, ndërsa kryetari Abdixhiku falënderoi ambasadorin Westerlund për mbështetjen e vazhdueshme që Suedia i ka dhënë Kosovës gjatë proceseve të saj.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!