image Takimi Kurti-Vuçiq, Stano: BE-ja nuk imponon zgjidhje në dialog

Politikë

Takimi Kurti-Vuçiq, Stano: BE-ja nuk imponon zgjidhje në dialog

news image

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se blloku evropian nuk u imponon zgjidhje partnerëve, teksa ka folur për rolin e BE-së në zgjidhjen e mospajtimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur për tensionet e fundit në mes të dyja vendeve, për shkak të çështjes së targave dhe dokumenteve serbe, Stano ka thënë se BE-ja ndihmon palët vetëm në gjetjen e një kompromisi.

“Shumë çështje që po shkaktojnë irritim në marrëdhëniet në mes të Beogradit dhe Prishtinës trajtohen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Për këtë quhet dialog i ndërmjetësuar, jo i detyrueshëm. Ne mund të ndërmjetësojnë për aq sa ekziston gatishmëria nga të dyja palët për të gjetur zgjidhje kompromisi”.

Sipas tij, përparimi i Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt BE-së varet nga hapat që bëjnë në dialog, raporton REL.

“Ne u ndihmojnë për kompromis, por u takon atyre që të jenë të gatshëm për të bërë kompromiset e nevojshme. Këtë gjë do ta bëjmë në takimet e radhës, përfshirë atë të nivelit të lartë mes presidentit serb, Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Kurti, që të çojnë përpara të gjitha çështjet në kuadër të dialogut, sepse pa përparim në dialog, nuk do të ketë përparim në rrugën evropiane”.

Serbia ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në BE në vitin 2009. Në mars të vitit 2012, i është dhënë statusi i kandidatit.

Kurse Kosova ka të nënshkruar vetëm Marrëveshje Stabilizim-Asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.

Kurti dhe Vuçiq do të takohen më 18 gusht në Bruksel me kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell dhe të dërguarin e BE-së për dialogun mes dy vendeve, Miroslav Lajçak.

/GazetaSinjali/