image Takim ministerial BE-Ballkan Perëndimor më 24 qershor, Kosova pritet të përfaqësohet nga ministrja e Jashtme

Politikë

Takim ministerial BE-Ballkan Perëndimor më 24 qershor, Kosova pritet të përfaqësohet nga ministrja e Jashtme

news image

Takimi i ri ministror i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të mbahet të hënën në Luksemburg, në margjinat e Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian (BE).

“Pas bisedimeve të brendshme brenda Këshillit të Punëve të Jashtme, ministrave të vendeve anëtare të BE-së do t’u bashkohen edhe partnerët nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova, për të shkëmbyer mendime mbi Ballkanin Perëndimor,” u njoftua nga Këshilli i BE-së.

Sipas N1, ardhjen e kanë konfirmuar ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi Filip Ivanovic, ai i Serbisë Marko Gjuriq dhe ai i Bosnjës dhe Hercegovinës Elvedin Konakovic, dhe pritet gjithashtu ardhja e ministrave të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani, Shqipërisë Igli Hasani dhe Kosovës Donika Gërvalla.

Përveç rishikimit të situatës, pritet që në takim të konfirmohet se Mali i Zi ka përmbushur kriteret kalimtare në kuadër të kapitujve të negociatave 23 (për drejtësinë dhe të drejtat themelore) dhe 24 (për drejtësinë, lirinë dhe sigurinë) dhe është i gatshëm të fillojë mbylljen e kapitujve të negociatave ku reformat kanë përfunduar.

Takimet midis ministrave të vendeve anëtare të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor janë iniciuar nga shefi në largim i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, në maj të vitit 2021 me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit të ndërsjellë para zgjerimit.

/GazetaSinjali/