image Tajfuni lë 19 të vdekur dhe shumë shtëpi pa çati në Filipine

Botë

Tajfuni lë 19 të vdekur dhe shumë shtëpi pa çati në Filipine

news image

Një tajfun i fuqishëm la të paktën 19 persona të vdekur, rrëzoi shtylla energjike e  komunikimet në provinca të tëra dhe shkaktoi shkatërrim të gjerë kryesisht në Filipinet qendrore.

Tajfuni Rai shpërtheu të premten mbrëma në Detin e Kinës Jugore pasi pushtoi provincat jugore dhe qendrore të ishullit. Më shumë se 300 mijë njerëz në rrugën e tij u evakuuan paraprakisht drejt vendeve të sigurta.

Tajfuni goditi bregun juglindor të vendit të enjten, por shkalla e viktimave dhe e shkatërrimeve mbeti e paqartë dy ditë pas, me provinca të tëra ende pa energji dhe lidhje telefonike.

Zyrtarët në ishujt Dinagat, një nga provincat e para që u godit nga erërat e tajfunit, mbetën të ndërprerë të shtunën për shkak të rrëzimit të linjave të energjisë dhe komunikimit. Por guvernatorja, Arlene Bag-ao, arriti të postonte një deklaratë në faqen e internetit të provincës për të njoftuar se provinca me rreth 180,000 banorë “është rrafshuar me tokë”.

Ajo u lut për ushqim, ujë, strehimore të përkohshme, karburant, komplete higjienike dhe furnizime mjekësore. Tutje tha se vetëm disa viktima janë raportuar në kryeqytet deri më tani, sepse qytetet e tjera mbeten të izoluara.

Në provincën qendrore Bohol, e cila u godit drejtpërdrejt nga tajfuni, roja bregdetare tha se personeli i saj shpëtoi banorët që ishin bllokuar në çati dhe pemë, ndërsa ujërat u rritën me shpejtësi, shkruan Abcnews.

Me fondet e jashtëzakonshme të qeverisë të përdorura për pandeminë e koronavirusit, Presidenti Rodrigo Duterte tha se do të kërkonte para për të ndihmuar provincat. Ai planifikoi të vizitonte rajonin e shkatërruar këtë fundjavë.

Rreth 20 stuhi dhe tajfune godasin Filipinet çdo vit.

/GazetaSinjali/