image Tahiri: Thaçi e Veseli janë ata që nuk qëndruan disidentë jashtë, por erdhën dhe udhëhoqën luftën për çlirimin e vendit

Kosovë

Tahiri: Thaçi e Veseli janë ata që nuk qëndruan disidentë jashtë, por erdhën dhe udhëhoqën luftën për çlirimin e vendit

news image

Ministri i Drejtësisë së Kosovës, Abelard Tahiri ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzave ndaj presidentit të dorëhequr, Hashim Thaçi dhe ish-kreut të PDK-së, Kadri Veselit, raporton Gazeta Sinjali.

Tahiri ka thënë se Thaçi e Veseli janë bërë fryma që lidhë heronjtë e të kalurës me të gjallin e sotshëm që përjeton lirinë dhe atë që ende nuk ka lindur.

Shkrimi i plotë i Tahirit:

Hashim Thaçi e Kadri Veseli janë njerëzit e zakonshëm të atdheut tonë. Ata të zakonshmit që u ngritën kundër Jugosllavisë. Kundër regjimit të Millosheviqit, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Janë ata të zakonshmit që nuk qëndruan disidentë jashtë, por erdhën dhe udhëhoqën luftën për çlirimin e vendit. Të zakonshmit, që shembën një sistem ideologjik fashist dhe restauruan dinjitetin tonë kombëtar.

Hashim Thaçi e Kadri Veseli, u bënë kështu fryma që lidhë heronjtë e të kaluarës, me të gjallin e sotshëm që përjeton lirinë, dhe atë që ende s’ka lindur, e që do ta jetojë Kosovën e lirë e të pavarur përgjithmonë

Prandaj ne sot, jemi më shumë se kurrë krenar për pjesën më të ndritur të historisë sonë. Jemi krenar më shumë se kurrë për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Jemi më shumë se kurrë krenar për Hashim Thaçin e Kadri Veselin dhe të gjithë pjesëtarët e UÇK-së, që po gjykohen padrejtësisht.

Nuk kam pasur nder më të madh në jetë, sesa të shërbej pranë Hashim Thaçit e Kadri Veselit, aty ku kam parë në vepër këta dy njerëz të zakonshëm të Kosovës, tek bëhen pjesa më e ndritur e historisë së kombit të vet.

Lirinë që e kemi fituar me sakrificë, nuk mund të na e përdhosë askush.
Ne besojmë në drejtësi dhe do kërkojmë drejtësi deri në fund.
Rroftë UÇK-ja. /Gazeta Sinjali/