Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se kjo parti e konsideron jetike fokusimin e politikave të shtetit në investimet me energji. Sipas tij, përmirësimi i gjendjes në sektorin e energjisë mund të ndodhë vetëm me vendime të sakta që ndërlidhen drejtpërdrejt me kapacitetet e Kosovës.
Tutje, Tahiri tha se qeveria e vendit duhet t’i marr tri veprime konkrete që duhet të ndodhin.
“E para, të nis procedura e investimeve të shtetit të Kosovës në energji me linjit, pra të fillojnë ndërtimi i kapaciteteve të reja, respektivisht i një termocentrali të ri që do të zëvendësojë termocentralet që janë simbol i ndotjes së ambientit”, është shprehur Tahiri.
Tutje, sipas tij, Kosova duhet që të stimulojë dhe të subvencionojë energjinë alternative si ajo me erë, solare dhe hidrocentralet e vogla.
“Dhe e treta, gazsjellësi amerikan, që siguron burim të gazit amerikan dhe lidhje të qëndrueshme në rrjetin evropian dhe burimeve amerikane, njëjtë sikurse shtetet e rajonit”, është shprehur Tahiri.
Tutje, ai tha se Kosova është sot në këtë gjendje pasi kapacitet ekzistuese, 5 blloqet e Kosova A dhe blloqet e Kosova B, nuk i janë nënshtruar një remonti serioz dhe sipas tij, vendi rrezikon një katrahurë energjetike dhe rrëzim të sigurisë kombëtare.