image Sylë Hoxha fillon punë të re pasi u pensionua si prokuror

Drejtësi

Sylë Hoxha fillon punë të re pasi u pensionua si prokuror

news image

Ish-prokurori Sylë Hoxha nuk ka mbetur pa punë, anipse u pensionua para më shumë se 4 muajsh. 10 shkurti ishte dita e fundit e punës së Sylë Hoxhës si prokuror, ndërsa pasi iu refuzua kërkesa që të përfitonte 70% të pagës që e merrte, ai ka vendosur t’i përvishet një pune të re.

Hoxha ka treguar për Gazetën Sinjali se ka nisur punën si avokat, duke e hapur një zyrë avokatie para pak ditësh.

“Tash jam duke u marrë si avokat. E kam hapë një zyrë, jam duke punu si avokat. Fillimi është, veç një javë. Të hënën e kam hapë, të shohim”, ka thënë Hoxha.

Më 21 prill, Gjykata Kushtetuese ia largoi Hoxhës përfundimisht mundësinë për të përfituar 70% të pagës pas pensionimit, sipas statusit që u takon ish-zyrtarëve të lartë të shtetit.

Sidoqoftë, Hoxha thotë se duhet të merret me diçka, derisa konsideron se është përsëri në profesion.

“Në këtë moshë konsideroj që unë duhet të merrem me diçka, kështu që unë prapë jam në profesion, jam në punën time që e kam kry për rreth 40 vjet dhe tash jam duke e vazhdu punën”, ka thënë Hoxha.

Ai ka treguar se para luftës ka punuar edhe si gjyqtar, ndërsa pas luftës është angazhuar si prokuror.

“Para luftës kam punu edhe si gjyqtar, a pas luftës si prokuror”, ka pohuar Hoxha.

Në tetor të vitit 1984, Hoxha ishte zgjedhur gjyqtar në Gjykatën Komunale në Prizren, pasi paraprakisht e kishte nisur karrierën në drejtësi si referent juridik në një ndërmarrje private dhe më vonë në drejtorinë për punë pronësoro-juridike në Kuvendin Komunal të Prizrenit.

Menjëherë pas luftës, Hoxha për herë të parë ishte zgjedhur prokuror në Prokurorinë Publike të Qarkut në Prizren.

Së fundi, ishte ushtrues detyre i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, ku punoi deri më 10 shkurt.

Hoxha mbahet në mend si prokuror që hetoi tragjedi e krime të ndjeshme që lanë gjurmë në Kosovë. /Gazeta Sinjali