image Sveçla: Situata mund të përkeqësohet në Veri, presidentja vendos për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve

Politikë

Sveçla: Situata mund të përkeqësohet në Veri, presidentja vendos për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve

news image

Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla ka folur sërish për situatën në veri, atje ku tashmë në disa lokacione është rritur numri i policëve.

Sveçla konfirmoi shtimin e numrit të pjesëtarëve policorë, duke thënë se e gjitha është bërë për të shtuar sigurinë për banorët pa dallim të asaj zone.

“Është e vërtetë që sipas planeve operacionale të Policisë, është rritur numri i policisë në disa lokacione, e kjo ka ndodhur për shkak të sulmeve të personave të paidentifikuar, të dyshuar, pra kanë prishur rendin dhe qetësinë. Me qëllim që rendi dhe ligji të kthehen në atë zonë, t’u garantohet qytetarëve siguri në vendbanimet e tyre, është marrë vendim që të rritet numri i policëve në atë pjesë.

Për shkak të ndodhive të netëve të fundit siç edhe e ceka më herët. Policia bën vlerësimet e sigurisë, në bazë të këtyre vlerësimeve e ka parë të arsyeshme. Krejt kjo është të ofrojnë siguri për të gjithë banorët. Pa qëllim të tjera. Veç siguri për banorët.

Sipas informatave nga menaxhmenti, ka të bëjë me disa lokacione në Mitrovicën e Veriut”.

Veç kësaj, ai tha se Policia e Kosovës është në koordinim të ngushtë me të gjitha agjencitë e tjera shtetërore, përfshirë këtu edhe Prokurorinë Speciale, teksa shtoi se po punojnë maksimalisht që ata që shkaktuan probleme në veri të dalin para gjyqit.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim me agjencitë tjera dhe Prokurorinë Speciale është duke vazhduar hetimet ndaj këtyre shqetësimeve të këtyre banorëve të kësaj pjese të Kosovës. Jam optimist se do të dalin me konkluza dhe do të propozojnë masat e duhura në drejtim të vënies para drejtësisë të atyre që me akte terroriste të dalin para organeve”.

Në anën tjetër, ai hodhi kritika ndaj Beogradit për mbështetjen si financiare ashtu edhe atë në koordinim.

“E dimë që këto raste nuk janë spontane. Janë të organizuara nga njerëz profesionistë, të udhëhequra nga Beogradi, si në financa ashtu edhe në koordinim. Por, unë jam i bindur në kapacitetet e Policisë së Kosovës. Situata relativisht e qetë, qytetarët mos të brengosën. Ne jemi shtet i së drejtës dhe përmes instrumenteve demokratike-kushtetuese do të punojmë”.

“Më lejoni të shprehem qartë pse mund të përkeqësohet situata në këtë zonë, kjo është për shkak të akteve kriminale, dhe herë herë edhe terroriste të cilat janë nën drejtimin dhe mbështetjen e Beogradit. Do të thotë të gjitha këto tensione, po ndodhin për shkak të vendimeve kriminale të qeverisë së Beogradit”, ka thënë Sveçla.

Sa u përket zgjedhjeve, Sveçla shtoi se vendimin do ta marrë Presidentja e vendit, në bashkëpunim me të gjitha palët gjegjëse.

“Institucionet të cilat janë të thirrura po punojnë në aspektin e pasqyrimit, si të rrethanave, ashtu edhe të rreziqeve. Unë pres që, qoftë KQZ, qoftë Policia e Kosovës të dalin me rekomandime, që pastaj t’ia përcjellin Presidentes për të marrë vendimet e duhura”.

“Në vazhdimësi koordinohemi me aleatët tanë dhe patjetër se me seriozitetin maksimal do të merren parasysh këto apele që po vinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, megjithatë, për të marrë vendimin e duhur është Presidentja e Kosovës, e cila në bazë të vlerësimit të rekomandimeve nga të gjitha institucionet do të vendoset”.

“Gjitha këto tensione, shkelje të ligjit, po ndodhin për shkak të Beogradit. Nuk po ndodhin për shkak se ne si institucione po zbatojmë ligjin. Duhet të jemi jashtëzakonisht të qartë mbi rolet destruktive të palës tjetër”, tha ai në RTK.

/GazetaSinjali/