Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka thënë se gjatë manifestimit të sotëm të maturantëve serbë në Mitrovicën e Veriut, disa pjesëmarrës kanë filluar provokimet ndaj qytetarëve të pranishëm në shesh me simbole nacionaliste.
Sveçla tha se disa nga pjesëmarrësit në këtë manifestim kanë bërë edhe thirrje shoviniste “Kosova është zemra e Serbisë” dhe me simbolin e tre gishtave.
“Gjatë manifestimit, disa pjesëmarrës kanë filluar provokimet ndaj qytetarëve të pranishëm në shesh me simbole nacionaliste dhe thirrje shoviniste “Kosova është zemra e Serbisë” dhe me simbolin e tre gishtave që jo vetëm përkujtojnë spastrimin etnik dhe gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë, por manifestojnë edhe pretendimet që ky shtet ka ndaj Republikës sonë”, shkroi Sveçla.
Tutje, ai tha se Policia e Kosovës, në mënyrë profesionale ka ndërmarrë veprimet e nevojshme me qëllim të evitimit të përshkallëzimit të mëtutjeshëm të situatës.
“Republika jonë demokratike garanton të gjitha të drejtat sikurse nuk mund të lejojë që këto vlera demokratike të cenohen përmes akteve të ngjashme që burimin e kanë te regjimi autokrat e prorus i Vuçiqit”.
“Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim të mos bien në provokime të ngjashme si dhe apeloj të mos instrumentalizohen nga Beogradi zyrtar dhe kryekrimineli Radoiçiq që duan eskalim dhe destabilizim të situatës në Kosovë”, tha ai.
Për rastin ka folur edhe Policia.
“Policia e Kosovës, stacioni në Mitrovicë të Veriut, dëshiron të sqaroj për opinionin publik që një pjesë e raportimeve për “protestë” dhe “eskalim” në Mitrovicë të Veriut janë të pavërteta dhe të pasakta”.
“Aktiviteti të cilit i referohen këto raportime nuk kanë të bëjë as me protestë e aq më pak me ndonjë eskalim. Aktiviteti në fjalë është defilim i maturantëve të Komunës së Mitrovicës së Veriut, të cilin paraprakisht ata e kanë njoftuar në Policinë e Kosovës”.
“Me rastin e raportimit dhe njoftimit Policia e Kosovës është përkujdesur për mbarëvajtjen dhe kujdesin për këtë aktivitet, i cili ka përfunduar qetë dhe pa ndonjë problem”.
“Gjatë festimit të maturës kan ndodhur disa provokime dhe me qëllim evitimin e ndonjë përshkallëzimi Policia ka reaguar. Situata është qetësuar dhe maturantët kanë vazhduar festën e tyre pa pasur nevojë për reagim shtesë”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!