Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është deklaruar pas arrestimit të ish-zyrtarit policor, Dejan Pantiç, i cili dyshohet se është i përfshirë në një nga incidentet e fundit në veri të vendit, raporton Gazeta Sinjali.
Sveçla përmes një postimi në rrjetin social ka thënë se Pantiç ka organizuar sulmin terrorist në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të vendit.
“Policia e Kosovës sot ka ndaluar në Pikën Kufitare në Jarinje ish zyrtarin policor, ish pjesëtarin e MUP-it i cili ishte integruar më parë në Policinë e Kosovës, Dejan Pantiç. I ndaluari sipas dëshmive të Policisë së Kosovës ka organizuar sulmin terrorist në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policor. Pantiç akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues”, tha Sveçla.
Tutje ai shtoi se grupe ekstremiste janë organizuar në bllokimin e disa rrugëve dhe ngritjen e barrikadave në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok me qëllim të parandalimit të vendosjes së drejtësisë.
Ndryshe Sinjali sot raportoi ekskluzivisht për arrestimin e Pantiç. Ai dyshohet se ka hedhur një shok-bombë gjatë incidenteve të fundit atje.