image Sveçla e drejtori i Policisë i përgjigjen Borrellit: Arrestimi është bërë bazuar në ligj

Politikë

Sveçla e drejtori i Policisë i përgjigjen Borrellit: Arrestimi është bërë bazuar në ligj

news image

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë thënë njëzëri se arrestimi i djeshëm në veri është bërë sipas ligjit, duke iu përgjigjur deklaratës së përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, që i quajti si “arrestime të paligjshme”.

Të premten, Borrelli u shpreh “shumë i alarmuar” për “arrestimet e jashtëligjshme të serbëve të Kosovës” dhe “marshimin e FSK-së në Mitrovicën e Jugut”. Ai deklaroi se “nuk do të tolerojnë” përshkallëzim të mëtejmë të situatës.

Megjithatë, Sveçla ka këmbëngulur që veprimet nga Policia janë bazuar në ligj, ndërsa ka ftuar Borrellin që ta luajë rolin e ndërmjetësuesit.

“Asnjë veprim i Policisë nuk është duke u bërë jashtë ligjit. Çdo veprim është i bazuar në ligj dhe procedurat e Policisë. Ftoj Borrellin ta adresojë drejt agresionin e Serbisë. Ta luajë rolin e tij si ndërmjetësues mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe me deklarata të përgjegjshme të parandalojë çfarëdo eskalimi të situatës, çfarëdo trimëri të këtyre kriminelëve”, ka thënë Sveçla në konferencë për media.

Ndërsa, drejtori i Policisë ka thënë se të gjitha veprimet e tyre bëhen përmes një procesi të hetimeve.

Sveçla ka treguar se dje janë vizituar nga familjarët tre policët e kidnapuar në veri nga forcat serbe.

/GazetaSinjali/