Mbikëqyrësi i zyrtarëve policorë që arrestuan sot tetë zyrtarë të Partisë Socialdemokrate është suspenduar, shkruan Gazeta Sinjali.
Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, si dhe kanë njoftuar se ndaj tij është iniciuar edhe procedura për përgjegjësi komanduese.
“Në këtë fazë ndaj mbikëqyrësit i cili ka menagjuar me veprimet policore është shqiptuar masa e suspendimit, ndaj të cilit njëkohësisht është iniciuar edhe procedura për përgjegjësi komanduese. Po ashtu ndaj mbikëqyrësve tjerë kompetentë është iniciuar procedura disiplinore për përgjegjësi menaxheriale”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Ndaj kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqajt është hapur rasti si “sulm ndaj personit zyrtar” dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orè.
“Policia ka shoqëruar në stacionin policor tetë (8) protestues të cilët kanë shfaqur dhunë dhe kanë dëmtuar pronën publike, ku pas përfundimit të procedurave intervistuese, me urdhër të prokurorit kompetent ndaj një protestuesi është iniciuar rasti “Sulm ndaj personit zyrtar” i cili është ndaluar në mbajtje për 48 orë, ndërsa ndaj të tjerëve me udhëzim të prokurorit për mosbindje të urdhrave të ligjshëm dhe vandalizëm të iu shqiptohet kundërvajtja sipas ligjit për Prishje të Rendit dhe Qetësisë Publike. Në cilësi të provave materia janë konfiskuar (10) copë ngjyrë (sprej) dhe ngjitës (stiker)”, thuhet tutje në komunikatë.
Komunikata e plotë i Policisë:
Policia e Kosovës, me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar sqaron veprimet e zyrtarëve policorë lidhur me aktivitetin e pa paralajmëruar nga përfaqësues të PSD-së, e cila është mbajtur sot rreth orës 12:05 te objekti i Ministrisë së Drejtësisë.
Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit në të gjitha rastet ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, përfshirë edhe mbrojtjen e pronës private dhe publike.
Policia e Kosovës ç’do here ka njohur dhe njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, shprehjen e pakënaqësisë, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, mirëpo në rastin konkret disa nga protestuesit kanë dëmtuar pronat publike, gjegjësisht njëzet e nëntë (29) vetura zyrtare, duke i dëmtuar me shkrime me ngjyrë (sprej) dhe ngjitës (stiker).
Referuar situatës së krijuar, prishjes së rendit dhe qetësisë publike dhe dëmtimit të pronës publike, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprime për të parandaluar dëmtimin e pronës publike, mirëpo protestuesit duke mos iu bindur urdhrave të ligjshëm të zyrtarëve policorë, vazhdimit të dëmtimit të pronave publike si dhe sulmit fizik ndaj zyrtarëve policorë, të njëjtit janë detyruar të ndërmarrin veprime policore për të vënë situatën në kontroll dhe për të parandaluar dëmtimin e mëtejmë të pronave publike.
Policia ka shoqëruar në stacionin policor tetë (8) protestues të cilët kanë shfaqur dhunë dhe kanë dëmtuar pronën publike, ku pas përfundimit të procedurave intervistuese, me urdhër të prokurorit kompetent ndaj një protestuesi është iniciuar rasti “Sulm ndaj personit zyrtar” i cili është ndaluar në mbajtje për 48 orë, ndërsa ndaj të tjerëve me udhëzim të prokurorit për mosbindje të urdhrave të ligjshëm dhe vandalizëm të iu shqiptohet kundërvajtja sipas ligjit për Prishje të Rendit dhe Qetësisë Publike. Në cilësi të provave materia janë konfiskuar (10) copë ngjyrë (sprej) dhe ngjitës (stiker).
Menagjmenti i Policisë së Kosovës me qëllim të sqarimit dhe hetimit të veprimeve policore mbi përdorimin e forcës, bazuar në procedurat e parapara ligjore ka njoftuar Inspektoratin Policor, i cili ka filluar hetimet penale lidhur me këtë rast, përderisa në këtë fazë ndaj mbikëqyrësit i cili ka menagjuar me veprimet policore është shqiptuar masa e suspendimit, ndaj të cilit njëkohësisht është iniciuar edhe procedura për përgjegjësi komanduese. Po ashtu ndaj mbikëqyrësve tjerë kompetentë është iniciuar procedura disiplinore për përgjegjësi menaxheriale.