image Suspendohet nga detyra rreshteri që dyshohet për keqtrajtimin e polices në Pejë

Siguri

Suspendohet nga detyra rreshteri që dyshohet për keqtrajtimin e polices në Pejë

news image

Rreshteri policor nga Drejtoria Rajonale në Pejë, Senad Hamzic është suspenduar për 72 orë me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës, pasi dyshohet se ka rrahur brutalisht një zyrtare policore në Pejë, me të cilën ishte në lidhje dashurie për një kohë, raporton Gazeta Sinjali.

Me urdhër të prokurorit kujdestar është iniciuar rast ndaj rreshterit policor dhe pas përfundimit të hetimit do të vendoset për aktakuzën eventuale dhe cilësimin e saktë ligjor të veprimeve të rreshterit policor që dyshohet se sulmoi të dashurën e tij police.

Sinjali nga mbrëmë ka raportuar ekskluzivisht se si zyrtari policor po dyshohet se ka sulmuar pamëshirshëm zyrtaren policore, para dy netësh në Pejë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, për çka ajo u detyrua të marrë trajtim mjekësor.  

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se rasti u zbulua pasi zyrtarja policore kishte kërkuar trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejë, si rezultat i rrahjes brutale, pasi kishte pësuar lëndime të rënda në pjesët e trupit.

Sipas burimeve të Sinjalit brenda spitalit, zyrtarja policore në fjalë është sulmuar fizikisht me grushte në kokë, shqelma e shuplaka nëpër trup e fytyrë, për çka ka pësuar plagë të rënda, sidomos në regjionin e fytyrës.

Gjithçka dyshohet se nisi në veturën e rreshterit policor Hamzic, ku i njëjti dyshohet se torturoi të dashurën zyrtare policor për motive të xhelozisë. Rrahjen brutale rreshteri e vazhdoi edhe jashtë veturës, duke u ‘siguruar’ që të mos lë gjurmë. Kjo pasi që, siç mëson Sinjali ata vazhduan për në një pompë të derivateve, ku zyrtarja policore ka ndërruar rrobat, të cilat i kishte të gjakosura.

Siç mëson Sinjali, deri më tani hetuesit kanë mbledhur prova të mjaftueshme që provojnë se rreshteri policor duhet të ndalohet për shkak të sulmit mizor ndaj zyrtares policore.

Burimet nga Emergjenca kanë bërë të ditur se policja që u sulmua nga rreshteri, në momentin që u pranua për trajtim mjekësor ka qenë në gjendje jo të mirë shëndetësore, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata

/GazetaSinjali/