image Suspendohen tre policë që negociuan me të dyshuarin për rrahje ndaj biznesmenit në Istog

Kosovë

Vendim/ Suspendohen tre policë që negociuan me të dyshuarin për rrahje ndaj biznesmenit në Istog

news image

Tre zyrtarë policorë janë suspenduar për 48 orë me pagesë, lidhur me rastin e negocimit me të dyshuarin Jeton Mavrajn, i cili ishte i përfshirë në rrahjen fizike me biznesmenin Bujar Rexhaj. Policia për këtë rast është duke marrë masa disiplinore ndaj 5 zyrtarëve policorë, raporton Gazeta Sinjali.

Rasti është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj, i cili i ka thënë Gazetës Sinjali se drejtoria rajonale ka ndërmarrë masa disiplinore ndaj pesë zyrtarëve policorë, ndërsa tre prej të cilëve janë suspenduar për 48 orë.

“Tre zyrtarë policorë janë suspenduar 48 orë me pagesë, ndërsa masa disiplinore do të ndërmerren ndaj pesë pjesëtareve policorë sipas rregullores së brendshme të Policisë së Kosovës”, ka deklaruar Ibraj për Gazetën Sinjali.

Ai po ashtu ka konfirmuar se në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, është arrestuar i dyshuar për këtë rast.

“Në mëngjesin e ditës së sotme rreth orës 1:00 të mëngjesit është arrestuar nga Policia e Kosovës i dyshuari J.M., dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajte”, ka deklaruar Ibraj për Gazetën Sinjali.

Kujtojmë se Jeton Mavraj ishe përfshirë në një rrahje fizike me biznesmenin Bujar Rexhaj, ku nga rrahja fizike, Rexhaj ka mbetur i lënduar dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore.

Pas këtij rasti, zyrtarët policorë të Kosovës kishin lënë të lirë, Jeton Mavrajn, i cili është i dyshuar për këtë rast. Në videon ekskluzive të siguruar nga Gazeta Sinjali, aty shihet se zyrtarët policore negociojnë me të dyshuarin.

E gjitha ngjarja kishte ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Istogut, ndërsa dy personat që u përfshinë në këtë rast dyshohet se kishin pasur probleme edhe në të kaluarën./Gazeta Sinjali/