image Suspendohen dy zyrtarë të Policisë së Kosovës, dyshohet se nuk zbatuan masat anti-COVID

Siguri

Suspendohen dy zyrtarë të Policisë së Kosovës, dyshohet se nuk zbatuan masat anti-COVID

news image

Me kërkesë të Inspektoratit Policor të Kosovës janë suspenduar dy zyrtarë policorë të Stacionit Qendra në Prishtinë, të cilët dyshohen se nuk ndërmorrën veprimet e nevojshme zyrtare për të inicuar procedurë kundërvajtëse ndaj një subjekti afarist.

Gazeta Sinjali mëson se pas denoncimit në Policinë e Kosovës, një lokal në Prishtinë po vazhdon punën edhe pas orës 22:30, të njëjtit zyrtarë policorë (emra të njohur për redaksinë) kishin shkuar në vendngjarje dhe ishin larguar pa ndërmarrë vendimet  e duhura ligjore, sipas manualit për mbrojtje nga përhapja e COVID-19.

Sipas burimeve të Gazetës Sinjali në Policinë e Kosovës, pasi zyrtarët policorë ishin larguar nga vendi i ngjarjes, Policia është njoftuar që nuk janë ndërmarrë masat e duhura dhe kanë dërguar njësitet tjera të Policisë, të cilat kanë konstatuar mosbatimin e masave nga subjekti afarist dhe kanë marrë masa.

Plani anti-COVID i Inspektoratit Policor të Kosovës parasheh monitorimin e zbatimit të masave nga Policia e Kosovës. /GazetaSinjali/