image Supremja shqyrton pjesëmarrjen e kryetares së Gjykatës në takim me Vuçiqin

Drejtësi

Supremja shqyrton pjesëmarrjen e kryetares së Gjykatës në takim me Vuçiqin

news image

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, si autoritet kompetent për të gjithë kryetarët e gjykatave, e ka njoftuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) se është duke e shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Lilana Stevanoviq, në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 22 mars në Beograd. Kështu konfimoi të mërkurën KGJK-ja.

Më herët gjatë ditës në një konferencë për media, ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se i vjen keq për pjesëmarrjen e Stevanoviqit në një takim të tillë dhe i ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që të ndërmarrë veprime për këtë rast.

Gjyqtarët dhe kryetarët e gjykatave në Republikën e Kosovës duhet të sillen me integritet të lartë moral dhe profesional. Çdo pjesëmarrje në një takim të tillë e cenon këtë integritet”, tha ajo.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar që të marrë një reagim nga Lilana Stevanoviq, por ajo është përgjigjur se “nuk ka kohë”, shkruan REL.

Ndryshe, më 22 mars në Beograd, presidenti serb, Vuçiq u takua me përfaqësuesit serbë të Kosovës, me të cilët bisedoi për vendimin e Qeverisë së Kosovës që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë.

Më 3 prill, Serbia do të mbajë zgjedhje presidenciale dhe parlamentare dhe serbët e Kosovës, sipas Vuçiq, do të votojnë në komunat në Serbinë Qendrore.

/GazetaSinjali/