Gjykata Supreme ka konstatuar se aktgjykimi i shkallës së parë dhe ai i shkallës së dytë, në rastin ndaj ish-kryetarit të Kuvendit Komunal të Prizrenit, Kujtim Gashi, që akuzohej për korrupsion, janë marrë me shkelje të ligjit penal.
Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media, ku thuhet se Supremja e ka aprovuar si të bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të Prokurorit të Shtetit, të paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prizren dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.
Gjykata Themelore në Prizren, më 23 dhjetor 2020, e kishte liruar Kujtim Gashin nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
“I akuzuari në kohën kritike, në cilësinë e kryesuesit të Asamblesë Komunale në Prizren ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare duke e keqpërdorur pasurinë publike, me qëllim të përfitimit të dobisë për personat juridik “TV Besa” dhe “TV Opinion”, në atë mënyrë që pa procedurat e tenderimit me të dy personat juridik, më datën 08.01.2015 ka lidhur kontrata për transmetim/ritransmetim të seancave të Asamblesë Komunale dhe pastaj janë autorizuar pagesat, për “TV Besa” në shumë prej 1.750 euro ndërsa për “TV Opinion” në shumë prej 6.700 euro, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik 04/L-42 Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive, nr.03/L-048 dhe Rregulloren e Thesarit 01/2013 për Shpenzimet e Parasë Publike”, thuhet në komunikatë.
Kolegji i Gjykatës Supreme, mes tjerash gjen se esenca e veprimit të kundërligjshëm, të të pandehurit, është që nuk ka mundësuar konkurrencë ndaj të gjithë operatorëve, të cilët i plotësojnë kushtet ligjore për të marrë pjesë në tenderim-konkurrencë.
Mes tjerash në komunikatë ceket se “Ai ka mundësuar që drejtpërsëdrejti, punën të fitojnë operatorët e caktuar, me një kontratë të drejtpërdrejt në mes tij dhe operatorëve dhe për këtë ka qenë në dijeni të plotë”.
“Andaj, te i pandehuri ka ekzistuar dashja e cila përfshinë dijeninë e tij se po e shfrytëzon pozitën e tij zyrtare, po i tejkalon kompetencat e tij dhe faktin se me këto veprime ai mundëson përfitim të kundërligjshëm për personin tjetër”.
Nga këto arsye Gjykata Supreme, ka konstatuar se aktgjykimet e kundërshtuara janë marrë me shkelje të ligjit penal ndaj të pandehurit, shkelje kjo nga neni 385.pika 4.të KPPK.
Siç thuhet në komunikatë “sepse me aplikimin e drejtë të ligjit penal, veprimet e tij duhej të konsideroheshin si vepër penale dhe kjo shkelje, në bazë të nenit 438 par.2 të KPPK, vetëm u konstatua, pa ndikuar në vendimin e formës së prerë”./GazetaSinjali/