image Supremja ia konfirmon dënimin me burgim Nenad Arsiqit, të dënuarit për krime lufte

Drejtësi

Supremja ia konfirmon dënimin me burgim Nenad Arsiqit, të dënuarit për krime lufte

news image

Kolegji i Gjykatës Supreme e ka konfirmuar dënimin prej gjashtë vjetësh burgim për Nenad Arsiq, për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë, duke e refuzuar si të pabazuar kërkesën e mbrojtjes së tij për mbrojtje të ligjshmërisë, shkruan Gazeta Sinjali.

“Refuzohet si e pabazuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e mbrojtësit të të dënuarit N.A e paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special PS.nr.55/2019 të datës 24.12.2020 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës-Departamenti Special APS.nr.11/2021 të datës 12.05.2021”, thuhet në vendimin e kësaj gjykate.

Arsiq ishte shpallë fajtor në vitin 2020 për veprën penale krime lufte kundër popullatës civil. Ai kishte ushtruar dhunë ndaj dy personave që kishin marrë pjesë në aksionin kundër popullsisë shqiptare në maj të vitit 1999. Rasti kishte ndodhur në lagjen “Emshir”. Sipas Gjykatës Themelore në Prishtinë, viktimat J.Sh. dhe S.Sh që vazhdojnë të vuajnë edhe sot, ishin detyruar të pinin alkool e të këndonin këmbë serbe.

Në aktgjykimin PML nr. 280/2021, Gjykata Supreme vëren se gjykatat e instancave më të ulëta, e posaçërisht gjykata e shkallës së parë si gjykatë e faktit në mënyrë të gjithanshme ka dhënë arsyetim të mjaftueshëm për të gjitha provat e administruara dhe po ashtu edhe përkitazi me mbrojtjen e të dënuarit.

“Ndaj, siç ka konstatuar gjykata e shkallës së parë në aktgjykimin e saj dhe të cilin konstatim e aprovon në tërësi edhe Gjykata Supreme, ‘skeleti i akuzës bazohet në dëshmitë e të dëmtuarve përkatësisht dëshmitarëve S. dhe J.Sh, andaj me të drejtë, dëshmitë e tyre kanë qenë dëshmi vendimtare në këtë çështje penale'”, thuhet në njoftimin e Supremes.

Tutje, në aktgjykim theksohet se dëshmitë e dëshmitarëve vlerësohen në tërësinë e tyre, janë dëshmi të besueshme dhe konsistente dhe se përfundimet e gjykatave të instancave më të ulëta gjyqësore i aprovon në tërësi edhe Gjykata Supreme./Gazeta Sinjali/

Aktgjykim-Pml.nr_.280-2021