Gjykata Supreme ka rrëzuar edhe ankesën e fundit, atë të Lëvizjes Vetëvendosje për votimin me postë.
“Refuzohet e pathemeltë ankesa e parashtruar nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me seli në Prishtinë, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Anr.641/2025, të datës 19.03.2025″, thuhet në vendim.
Kështu që i bie se Komisionit Qendror të Zgjedheve i është hapur rruga për të certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar anulimin e 18 mijë e 933 votave të LDK-së nga votimi me postë, rivotimin me postë dhe largimin nga lista të kandidatëve që kanë marrë vota më shumë përmes votimit me postë sesa në vendvotime në Kosovë dhe moszëvendësimin e tyre me anëtarë të tjerë të LDK-së.
Poashtu, ata e kanë akuzuar LDK-së për vjedhje industriale të votës së diasporës përmes postës.
Megjithatë, lidhur me votimin përmes postës tashmë Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet.
Përveç akuzave të VV-së, ka pasur edhe reagime nga Lidhja Demokratike e Kosovës, deputeti Besian Mustafa, ka publikuar një video dhe ka thënë se VV ka manipuluar me votat e mërgatës.
“Mbi 1.600 fletëvotime të kësaj partie, të printuara me të njëjtat gabime teknike, dëshmojnë qartë një manipulim të organizuar”, ka shkruar ai.