Sulmuesi serb Dusan Vlahovic ishte ndër të parët futbollistë në Serinë A, që rezultoi pozitiv ndaj koronavirusit dhe iu desh të qëndronte për dy javë në karantinë, ndonëse e kaloi periudhën e vështirë me shumë pak simptoma.
Megjithatë edhe tani djaloshi i talentuar serb vijon të mbetet i mbyllur për shkak të izolimit të vendosur nga qeveria italiane, deri në një moment të dytë, ndaj ka zgjedhur rrjetet sociale për të komunikuar me fansat dhe për të dërguar disa mesazhe pozitive.
“Dua t’u përshëndes të gjithëve. Jam mirë dhe shpresoj që edhe ju të jeni mirë me shëndet, gjatë këtyre ditëve të vështira. Unë jam mbështetësi i parë i atyre që luftojnë me koronavirusin, ndaj dua të falënderoj edhe mjekët që janë në vijën e parë të kësaj lufte”, shkroi Vlahovic.
Më pas, sulmuesi serb që ka shpërthyer këtë sezon te Fiorentina, bëri thirrje për mbështetjen e nismës së presidentit Rocco Commisso në fushatën kundra koronavirusit dhe zbuloi si e kalon ditën në izolim.
“Është një moment i veçantë, pasi jemi të gjithë nëpër shtëpi, por koha kalon duke parë filma, dëgjuar muzikë dhe duke u stërvitur për rifillimin e kampionatit. Gjithashtu vijojmë të mbështesim nismën e presidentit Commisso dhe drejtuesve të klubit, për luftën kundër koronavirusit”, tha serbi.
Ndonëse bota po kalon një moment shumë të vështirë, Vlahovic është i bindur që një ditë ke gjithë kjo do të përfundojë mirë dhe zbulon për fansat se cila do të jetë gjëja e parë që do bëjë pasi të dalë nga izolimi.
“Gjëja e parë që do të bëj pasi të lë karantinën, është të përqafoj familjarët e mi, shokët e skuadrës dhe të gjithë juve në stadium. Shpresoj të kalojë sa më shpejt dhe t’i rikthehemi jetës normale”, tha Vlahovic.