image Policia e Kosovës në veri sërish cak i të shtënave me armë zjarri

Siguri

Policia e Kosovës në veri sërish cak i të shtënave me armë zjarri

news image

Policia Kufitare në Zubin Potok sërish ka qenë cak i një sulmi me armë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur derisa zyrtarët policorë po ktheheshin nga pika kufitare pasi kanë përfunduar ndërrimin.

Ndaj automjetit të Policisë, persona të panjohur kanë gjuajtur me armë. Sipas burimeve të Sinjalit nuk ka persona të lënduar.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar Policinë por ende s’ka marrë një konfirmim zyrtar.

Kujtojmë se Policia e Kosovës është sulmuar disa herë javët e fundit në veri të vendit. Më 15 prill, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, kanë bërë të ditur në një konferencë për media se policia ka qenë “cak i sulmeve të armatosura të grupeve kriminale në veri”.

Ata kanë thënë se sulmet kanë ndodhur në zonën ndërmjet Zubin Potokut dhe pikës kufitare me Serbinë, në Bërnjak.

I pari ka ndodhur më 13 prill, ndërsa për një javë janë regjistruar pesë sulme në total.

Në sulmet ndaj policisë janë përdorur iriqë metalikë, gurë, granata dore, armë automatike dhe mjete piroteknike.

Po ashtu, ka pasur dyshime se disa nga të shtënat kanë ardhur nga territori i Serbisë.

/GazetaSinjali/