image Sulmohen dy policë në një lokal në Ferizaj, shkuan të intervenojnë pasi dikush kërkoi ndihmë

Siguri

Sulmohen dy policë në një lokal në Ferizaj, shkuan të intervenojnë pasi dikush kërkoi ndihmë

news image

Foto ilustruese


Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur dje pasdite në Ferizaj, ku një person ka sulmuar zyrtarët policorë, që kishin shkuar për të intervenuar pasi i njëjti u denoncua nga një grua.

Siç mëson Sinjali, rasti ndodhi në lokalin ku i dyshuari fillimisht kishte kanosur viktimën, e cila kërkoi ndihmën e Policisë.

Pasi zyrtarët policorë dolën në vendin e ngjarjes, i dyshuari nuk ka përfillur urdhrat dhe ka rezistuar, e më pas eskaloi në sulm me grushte ndaj policëve.

Pavarësisht pengesave, Policia e ka shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, i cili më pas është intervistuar nga hetuesit policorë.

Ndaj tij, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

/GazetaSinjali/