Komiteti i përzgjedhur i Dhomës së Përfaqësuesve që është duke hetuar sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitolin e ShBA-së, ka njoftuar se paneli i ka dërguar zyrtarisht ish-presidentit Donald Trump një fletëthirrje – pasi e përshkruan atë si figurën qendrore në planin për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale 2020.
Bëhet e ditur se Komiteti ka lëshuar thirrjen në përpjekje për të detyruar Trumpin të flasë nën betim dhe të dorëzojë dokumentet e kërkuara.
Paneli ka urdhëruar Trump të dorëzojë dokumentet e klasifikuara deri më 4 nëntor, e ndryshe nga njoftimet e mëparshme, këtë herë ka publikuar edhe listën me dokumentet e kërkuara nga ai.
Ndërsa nuk është ende e qartë nëse Trump do ta pranojë këtë thirrje, veprimi shërben si një mënyrë që komiteti të vendosë një shenjë dhe të bëjë të qartë se ata duan informacion direkt nga Trump ndërsa paneli është duke hetuar sulmin.