Një incident i rëndë raportohet se ka ndodhur pasditen e sotme në Prishtinë, më konkretisht në lagjen “Dardania”, ku një person është parë i plagosur i shtrirë në tokë, raporton Gazeta Sinjali.
Siç mësoi Sinjali, dyshohet se një person është therur me thikë dhe viktima është një nxënës i një shkolle.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ahmeti tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 ku është marrë informata për një lëndim trupor dhe bazuar në të dhënat fillestare, një person është lënduar pasi është goditur nga një mjet i mprehtë.
I njëjti, sipas Policisë, është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti.
Sinjali siguroi pamje nga vendi i ngjarjes, ku vërehej prezenca e policëve dhe e ambulancës të cilët kishin arritur në vendngjarje.
E rëndë: Në ditën e parë të shkollës sulmohet me thikë një nxënës në Prishtinë (VIDEO)
Siç mësoi Sinjali, ndihmën e parë ai e ka marrë fillimisht nga disa persona që kanë qenë afër ngjarjes, deri në arritjen e ambulancës, teksa ai më pastaj është dërguar në spital.