Autoritetet gjermane të sigurisë e pranuan se kishin marrë informacione vitin e kaluar për autorin e dyshuar për sulmin vdekjeprurës në një treg Krishtlindjesh, por thanë se hetimet kishin treguar se ai nuk përbënte rrezik.
Por ekspertë kundër terrorizmit thonë se autoritetet gjermane dështuan të hetonin këtë rast dhe se duhet të kishin marrë më shumë masa sigurie pranë tregut të Krishtlindjeve.
Policia në Magdeburg tha të dielën se katër të rritur dhe një fëmijë humbën jetën nga sulmi. Autoritetet thanë se 200 persona u plagosën, përfshirë 41 në gjendje të rëndë.
Kreu i Zyrës Federale të Policisë Kriminale, Holger Münch, tha në një intervistë për televizionin gjerman ZDF se “zyra e tij mori një njoftim nga Arabia Saudite në nëntor të vitit 2023 dhe autoritetet morën masat e duhura hetimore”.
“Ai ishte i njohur për autoritetet, kishte bërë komente fyerje dhe herë pas here kërcënime, por nuk kishte informacione për akte dhune”, tha zoti Munch për të dyshuarin.
Edhe Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët në Gjermani tha gjithashtu të shtunën në një postim në rrjetin social “X” se mori një informacion për të dyshuarin në fund të verës së vitit të kaluar.
“Ky informacion u mor seriozisht, si çdo informacion tjetër që vjen”, njoftoi ky institucion.
Burimet e sigurisë saudite thanë se e kishin paralajmëruar Gjermaninë për autorin e dyshuar dhe kishin kërkuar ekstradimin e tij, por Berlini nuk ishte përgjigjur.
“Është shumë e qartë se mes autoriteteve të sigurisë në Gjermani ka patur disa mangësi dhe si pasojë nuk u parandalua ky sulm shumë i tmerrshëm. Pati një paralajmërim nga Arabia Saudite, pati paralajmërime brenda vendit, në Gjermani, nga njerëzit që e njihnin atë. Kishin njoftuar policinë se autori i dyshuar po bëhej mjaft i çuditshëm. Dhe së fundmi patëm dështime për të ofruar siguri, për të vendosur pengesa përreth tregut të Krishtlindjeve”, thotë Dr.Hans-Jakob Schindler, drejtor i Projektit Kundër Terrorizmit.
Ndëkrohë protestues të ekstremit të djathtë marshuan në heshtje nëpër rrugët e Magdeburgut të shtunën në mbrëmje. Nëpërmjet rrjetit social “Telegram” ata njoftuan se ishin mbledhur “kundër terrorit”.