Gazeta Sinjali raportoi sot se ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Ndërmarrjes Publike “Trepça”, Enis Abdurrahmani dhe drejtori i Administratës së kësaj ndërmarrjeje, Besim Haxhiu, janë sulmuar fizikisht nga një grup njerëzish.
Policia njofton se ka identifikuar personat e dyshuar, tre prej të cilëve janë arrestuar.
Në prangat e Policisë si të dyshuar për këtë rast, deri tani, kanë përfunduar R.I., 50-vjeçar, Sh.R., 40-vjeçar dhe B.U., 37-vjeçar.
Tre të arrestuarit janë intervistuar dhe me urdhër të prokurorit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndaj tyre është iniciuar rast për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, “Sulm dhe Pengim i personave zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/