Të paktën 15 persona kanë humbur jetën në sulmet ruse ndaj Ukrainës, ndërsa dhjetë prej tyre u vranë nga goditjet me raketa balistike në një ekspozitë pranë Kievit, ku prezantohej teknologjia e dronëve.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri të ditur se rreth 100 persona janë plagosur gjatë sulmit të kryer gjatë ditës ndaj ekspozitës, ku merrnin pjesë edhe figura të njohura të sektorit të mbrojtjes.
Ndërkohë, në qytetin lindor të Slovianskut, pesë persona u vranë nga sulmet ruse me bomba precize, të njohura si “glide bombs”.
Në anën tjetër, një sulm ukrainas gjatë natës në territorin rus la të vrarë gjashtë persona dhe plagosi 26 të tjerë në qytetin e Kirovit, i cili ndodhet më shumë se 1 mijë kilometra larg vijës së frontit.
Sipas raportimeve, Ukraina goditi gjithashtu depot e kompanisë “Wildberries”, një prej shitësve më të mëdhenj online në Rusi.
Sulmet e fundit vijnë në një kohë kur luftimet mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdojnë, pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare për arritjen e një marrëveshjeje për ndaljen e konfliktit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!