image Sulmet ndaj Policisë në veri, Sveçla: Paniku i palës tjetër se po u prishen planet, nuk na ndalë e as nuk na trembë

Siguri

Sulmet ndaj Policisë në veri, Sveçla: Paniku i palës tjetër se po u prishen planet, nuk na ndalë e as nuk na trembë

news image

Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, është deklaruar lidhur me sulmet që i janë bërë Policisë Kufitare ditët e fundit në veri të vendit.

Ashtu siç raportoi Sinjali sot në mëngjes, edhe Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme për medie e konfirmoi se zyrtarët policorë kufitarë u sulmuan me armë zjarri, duke bërë të ditur se në tri ditët e fundit, grupe të ndryshme kanë realizuar katër sulme në atë zonë.

Sulmi i parë ka ndodhur duke vendosur iriqë metalikë në rrugën nacionale në kohën përafërsisht të njëjtë me sulmin e sotëm me qëllim që të pamundësojnë punën e Policisë së Kosovës dhe të rrezikojnë drejtpërdrejtë jetën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Sulmi i dytë ka ndodhur me gjuajtje me gurë në veturën e Policisë së Kosovës. Sulmi i tretë është publik, ka ndodhur mbrëmë ku në afërsi të puntit policor i cili bën sigurimin e pengesave të rrugëve ilegale ka pasur gjuajtje me armë zjarri dhe sot siç thashë edhe më herët drejtpërdrejt janë goditur dy veturat që transportonin zyrtarët policorë”, njoftoi ai.

Ministri Sveçla tha se dy nga katër sulmet janë bërë në orën 8 të mëngjesit, atëherë kur është ndërrimi i rregullt i Policisë së Kosovës.

Sipas tij, angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës, posaçërisht i Policisë, të vendosë rend dhe ligj në çdo cep të vendit është bërë pengesë për grupe te caktuara që mbështeten drejtpërdrejtë nga Serbia.

Po ashtu shihet që angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës posaçërisht të Policisë së Kosovës të vendos rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës është bërë pengesë për Serbinë, për grupe të caktuara të cilat mbështeten nga Serbia dhe realisht u prish planet gjithë atyre të cilët Kosovën e kanë parë si çerdhe të tyre dhe si një vazhdimësi të krimeve të tjera”, tha ai.

Sveçla para medieve prezantoi edhe një nga dëshmitë që është gjetur në vendin e ngjarjes nga Policia e Kosovës, ku bëhet fjalë për një plumb gëzhojë.

Ai po ashtu tha se qëllimi i Policisë së Kosovës për të vendos rend dhe ligj, për të luftuar krimin dhe korrupsionin pa kurrfarë dallimi do të vazhdojë edhe më me ngulm.

Ne do të jemi në të drejtën tonë dhe paniku i palës tjetër se po u prishen planet ne nuk na ndal as nuk na tremb. Të gjitha njësitë policore janë të angazhuara të zbulojnë çka ka ndodhë në të gjitha këto raste dhe shumë shpejt Policia e Kosovës do të vijë me rezultate konkrete sa i përket pjesëtarëve të këtyre grupeve që kanë bërë këto sulme”, përfundoi Sveçla.

/GazetaSinjali/