image Sulm në Komunën e Suharekës: Zyrtari për diasporë bën llom kolegen, s’e lë të dalë nga zyra

Siguri

Sulm në Komunën e Suharekës: Zyrtari për diasporë bën llom kolegen, s’e lë të dalë nga zyra

news image

Gazeta Sinjali sot raportoi për një rast të kanosjes që ka ndodhur në komunën e Skenderajt, ku i dyshuar është një zyrtar komunal, ndaj të cilit Prokuroria ka nisur hetimet. Por siç duket ky nuk është sherri i vetëm në komunat e vendit. Një rast tjetër ka ndodhur edhe në komunën e Suharekës, ku është sulmuar një zyrtare e Drejtorisë së Urbanizimit.

Sinjali mëson se i dyshuari që sulmoi kolegen e tij është zyrtar për diasporë në Drejtorinë e Kulturës, në komunën e Suharekës. Ai dyshohet se ka sulmuar koordinatoren e Urbanizimit, gjatë ditës së djeshme, në zyrat e komunës.

Mollë sherri për përleshjen u bë një hartë zonale, ku përfshihen fshatrat e komunës së Suharekës, për të cilën ka nisur diskutimi mes dy zyrtarëve.

Mosmarrëveshja kaloi në konflikt fizik, pasi i dyshuari ka kërkuar nga koordinatorja një hartë normale dhe jo në monitor, siç ajo ia ka prezantuar. Në ato momente, viktima ka kërkuar ndihmë nga një zyrtar tjetër, por kjo vetëm sa e tensionoi situatën. Zyrtari për diasporë dyshohet se e ka kapur për krahu viktimën, duke e shtyrë, me ç’rast s’e ka lejuar të dalë as nga zyra.

Për shkak të sulmit që ia shkaktoi kolegu, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë trajtim në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Suharekë.

Palët e përfshira janë intervistuar në Polici pas denoncimit të rastit dhe Prokuroria ka urdhëruar që të nisin hetimet për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar”.

/GazetaSinjali/