image Sulm i dhunshëm në Bruksel: Futbollisti i Union SG grabitet në mes të rrugës, i merret ora luksoze

Futboll

Sulm i dhunshëm në Bruksel: Futbollisti i Union SG grabitet në mes të rrugës, i merret ora luksoze

news image

Futbollisti i Union Saint-Gilloise, Mohammed Fuseini, është sulmuar dhe grabitur në mënyrë të dhunshme në Bruksel, në një incident që ka tronditur klubin belg.

Ngjarja ka ndodhur të dielën në mëngjes në lagjen Dansaert, ku sulmuesi 22-vjeçar u ndalua nga disa persona teksa ndodhej në automjetin e tij. Pamjet e publikuara nga mediat belge tregojnë momentin kur disa sulmues e nxjerrin Fuseinin me forcë nga makina, ndërsa të tjerët kontrollojnë automjetin.

Sipas raportimeve, grabitësit i kanë marrë futbollistit një orë luksoze të markës Rolex Datejust, me vlerë të përllogaritur nga 8 mijë deri në 14 mijë euro, si dhe telefonin celular.

Policia e Brukselit ka konfirmuar se ka nisur hetimet pas denoncimit të rastit. Nga klubi Union Saint-Gilloise kanë bërë të ditur se Fuseini nuk ka pësuar lëndime fizike, por është i tronditur nga ngjarja dhe po merr mbështetjen e nevojshme.

Mohammed Fuseini iu bashkua Union Saint-Gilloise në vitin 2024 nga Sturm Graz i Austrisë dhe është bërë një nga lojtarët e rëndësishëm të skuadrës belge. Sulmuesi ganez ka zhvilluar mbi 70 paraqitje për klubin, duke kontribuar me gola dhe asistime.

Autoritetet belge po punojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar për grabitjen.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/