Një 16-vjeçar ka përfunduar në spital me lëndime në kokë, pasi dyshohet se u sulmua me kondakun e një pistolete në mes të rrugës në Pejë. I dyshuari, sipas dëshmisë së viktimës, pasi e rrëzoi në tokë, i drejtoi edhe armën, ndërsa vetëm ndërhyrja e kalimtarëve shmangu përshkallëzimin e mëtejshëm të ngjarjes, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur paraditen e 8 korrikut, rreth orës 11:50, në rrugën “Madeleine Albright” në Pejë.
Policia është njoftuar fillimisht nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë, ku viktima, T. D. (16-vjeçar), kishte kërkuar ndihmë mjekësore.
Sipas mjekut kujdestar, i mituri nuk kishte pësuar fraktura, por kishte dy çarje në pjesën e kokës, të cilat janë trajtuar me qepje, ndërsa gjendja e tij është vlerësuar stabile.
Pas trajtimit, viktima është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar në prani të prindit.
Sipas deklarimit të tij, derisa ishte duke ecur në këmbë me një shok, E. M. dyshohet se i është afruar nga prapa dhe e ka goditur dy herë në kokë me kondakun e një pistolete, duke e rrëzuar në tokë.
Viktima ka deklaruar se pas sulmit, i dyshuari është larguar me vrap, por pas disa metrash është ndalur dhe ia ka drejtuar armën, duke krijuar panik në vendin e ngjarjes. Situata, sipas tij, është qetësuar vetëm pasi kanë ndërhyrë disa kalimtarë, të cilët e kanë larguar të dyshuarin.
I mituri ka deklaruar gjithashtu se nuk kishte pasur asnjë konflikt apo mosmarrëveshje të mëhershme me personin që dyshohet se e sulmoi.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se njësitë e hetimeve dhe patrullat policore kanë ndërmarrë kërkime në dy lokacione për kapjen e të dyshuarit, por ai nuk është gjetur dhe vazhdon të kërkohet.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, ndërsa hetimet janë iniciuar për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!