image Stuhia tragjike në Prishtinë: Kjo është gjendja shëndetësore e gruas që u lëndua pasi e zuri lisi

Shëndetësi

Stuhia tragjike në Prishtinë: Kjo është gjendja shëndetësore e gruas që u lëndua pasi e zuri lisi

news image

Një ngjarje e rëndë ndodhi sot në Prishtinë, ku një 30-vjeçar ka humbur jetën pas rrëzimit të një lisi në lagjen Pejton. Ndërsa gruaja që mbijetoi u dërgua në Qendrën Klinike Universitare për trajtim, për shkak të lëndimeve të rënda që ka pësuar, raporton Sinjali.

Mjeku kujdestar në Emergjencë, Ejup Govori ka bërë të ditur për Sinjalin se 36-vjeçarja ka lëndime serioze në të gjitha pjesët e trupit, por është jashtë rrezikut për jetë.

Govori njoftoi se janë duke u bërë konsulta me specialistët, të cilët do të vendosin nëse e lënduara do t’u nënshtrohet intervenimeve të caktuara.

“Gjendja stabile, për momentin është me vetëdije, por lëndimet janë serioze. Ka lëndime në të gjitha pjesët e trupit, në kokë, në eshtrat e  fytyrës, në unazën e qafës, lëndime në gjoks, në bosht kurrizor, si dhe lëndime në këmbë. Me gjasë do t’iu nënshtrohet intervenimeve, por tash secili specialist e analizon gjendjen.”

Lajmin për vdekjen e 30-vjeçarit e konfirmoi edhe Policia e Kosovës dhe njoftoi se po ndërmerr të gjitha veprimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Ndërkohë nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, u bëri thirrje qytetarëve që t’i shmangin pjesët e qytetit që kanë drunj.

“Ekipet tona të shpëtimit janë në terren dhe po merren me rastet e aksidenteve”, tha ai përmes një postimi në Facebook.

/GazetaSinjali/