Një 61-vjeçar ka humbur jetën pasditen e së martës në fshatin Pozheran të Vitisë, si pasojë e përkeqësimit të kushteve atmosferike, ka konfirmuar për Gazetën Sinjali zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.
Sipas Policisë, viktima dyshohet se ka rrëshqitur aksidentalisht në dyshemenë e ballkonit të shtëpisë, rreth orës 16:30, duke pësuar lëndime në kokë. Ai u dërgua me autoambulancë në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, ku mjeku kujdestar konstatoi se ishte pa shenja jete.
Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po heton rastin, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Po ashtu, si pasojë e kushteve atmosferike, dy burra nga Pozherani pësuan lëndime të lehta trupore pasi dyert hyrëse të oborrit të tyre u rrëzuan. Pas trajtimit në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, ata janë liruar për në shtëpi.
Policia u bën apel qytetarëve të kenë kujdes të shtuar gjatë motit të lig, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara dhe të respektojnë udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!