image Stuhi të fuqishme godasin Greqinë dhe Turqinë, përmbytje të rënda edhe në Indi e Pakistan

Botë

Stuhi të fuqishme godasin Greqinë dhe Turqinë, përmbytje të rënda edhe në Indi e Pakistan

news image

Moti i keq ka përfshirë disa vende, duke shkaktuar përmbytje, dëme të mëdha materiale dhe ndërprerje të qarkullimit.

Në Greqi, një stuhi e fuqishme goditi veçanërisht Athinën dhe Pireun, ku erërat e forta dhe breshëri rrëzuan pemë dhe shkaktuan shembjen e skelave të një kantieri ndërtimi.

Për pasojë, disa rrugë u bllokuan, ndërsa reshjet e dendura shkaktuan përmbytje në disa akse rrugore. Në Pire u ndërpre edhe qarkullimi i tramvajit, pasi u dëmtuan kabllot e energjisë elektrike.

Deri në orët e mbrëmjes, shërbimi zjarrfikës kishte pranuar mbi 150 thirrje për ndihmë, kryesisht për pemë të rrëzuara, përmbytje dhe objekte që paraqisnin rrezik për qytetarët.

Moti i keq goditi edhe Turqinë, ku reshjet e rrëmbyeshme përmbytën kryeqytetin Ankara. Dhjetëra rrugë u mbuluan nga uji, ndërsa disa automjete u morën nga rrjedha ose mbetën të zhytura.

Ekipet e emergjencës ndërhynë për të shpëtuar drejtuesit e automjeteve dhe banorët që kishin mbetur të bllokuar.

Situatë e rëndë po mbretëron edhe në Azinë Jugore. Në Indi, shirat e dendur të musonit kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje të dheut në disa shtete, duke detyruar mijëra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre.

Reshjet kanë dëmtuar gjithashtu rrugë dhe infrastrukturë tjetër, ndërsa autoritetet po vazhdojnë operacionet e evakuimit në zonat më të prekura.

Edhe Pakistani po përballet me pasoja të rënda nga reshjet e musonit. Përmbytjet kanë përfshirë zona të tëra, duke shkatërruar shtëpi dhe toka bujqësore, ndërsa ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet dhe evakuimin e banorëve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/