image Studimi zbulon: Barnat për dobësim ulin peshën, por nuk përmirësojnë domosdoshmërisht cilësinë e jetës

Shëndeti

Studimi zbulon: Barnat për dobësim ulin peshën, por nuk përmirësojnë domosdoshmërisht cilësinë e jetës

news image

Barnat për dobësim si Wegovy dhe Mounjaro ndihmojnë njerëzit të humbin një numër të konsiderueshëm kilogramësh, por humbja e peshës nuk do të thotë domosdoshmërisht se pacientët ndihen më mirë ose se përmirësohet cilësia e tyre e jetës.

Ky është përfundimi i një studimi të ri të publikuar në revistën mjekësore The BMJ, ku studiuesit analizuan të dhënat nga 262 studime me pjesëmarrjen e më shumë se 99 mijë personave.

Në kuadër të hulumtimit, ekspertët krahasuan 14 barna të ndryshme të përdorura për trajtimin e obezitetit, duke vlerësuar efektet e tyre në humbjen e peshës dhe ndikimin në shëndetin e përgjithshëm të pacientëve.

Sipas rezultateve, barnat më të reja, përfshirë Wegovy dhe Mounjaro, rezultuan më efektivet për humbjen e kilogramëve.

Megjithatë, për shumicën e barnave nuk u gjetën prova të mjaftueshme që tregojnë se ato përmirësojnë cilësinë e jetës së pacientëve ose ulin rrezikun e problemeve serioze shëndetësore gjatë vitit të parë të përdorimit.

Studimi thekson se Wegovy mund të ulë rrezikun e vdekjes, infarktit në zemër dhe insuficiencës kardiake. Ndërsa Mounjaro mund të zvogëlojë rrezikun e insuficiencës kardiake, por te disa persona është shoqëruar edhe me humbje të masës muskulore.

Autorët e studimit kanë theksuar se nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar më mirë efektet afatgjata të këtyre barnave.

Sipas tyre, deri tani është e qartë se këto trajtime ndihmojnë në humbjen e peshës, por ende nuk ka prova të mjaftueshme se ato përmirësojnë në tërësi jetën e pacientëve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/