Aksionet kundër narkotikëve në kryeqytet po vazhdojnë, ndërsa në prangat e Policisë ka përfunduar edhe një i mitur që dyshohet se posedonte drogë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është zbuluar gjatë zbatimit të planit operativ “Stop Droga”, në rrugën “Isa Boletini” në Prishtinë.
Sipas informacioneve të siguruara, njësia e hetimeve të Stacionit Policor Jugu ka ndaluar për kontroll një veturë Opel Zafira, ku ndodheshin dy persona.
Gjatë kontrollit, Policia ka gjetur 1.44 gram kokainë dhe 2.21 gram marihuanë, me peshë totale prej 3.65 gramësh.
Sinjali mëson se substancat narkotike janë pranuar si pronë e të miturit me inicialet G.B., rreth 16-vjeçar, i cili është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit mbrojtës.
Përveç narkotikëve, Policia i ka sekuestruar të dyshuarit edhe një telefon mobil dhe 25 euro para të gatshme.
Me vendim të Prokurores kujdestare për të mitur, 16-vjeçarit i është caktuar masa e ndalimit për 24 orë.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Kokainë, marihuanë dhe një i mitur pas timonit të hetimeve. Operacioni “Stop Droga” zbuloi rastin e radhës në Prishtinë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!