image Stoltenberg: NATO po shqyrton nëse shtimi i trupave në Kosovë duhet të jetë më afatgjatë

Politikë

Stoltenberg: NATO po shqyrton nëse shtimi i trupave në Kosovë duhet të jetë më afatgjatë

news image

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të hënën se aleanca do të bëjë çdo gjë që nevojitet për të ruajtur qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor dhe për këtë arsye do të diskutojë mundësinë e shtimit të përhershëm të pranisë ushtarake në rajon, për të mbajtur tensionet nën kontroll.

Ai i bëri këto komente në një konferencë shtypi në prag të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel, në të cilin do të marrë pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit Antony J. Blinken. Takimi do të ketë në qendër të diskutimeve agresionin rus në Ukrainë dhe situatën në Ballkanin Perëndimor.

NATO-ja vendosi trupa shtesë në Kosovë pas një përleshjeje të armatosur ndërmjet policisë së Kosovës dhe një grupi serbësh të armatosur në veri të vendit me 24 shtator, një ngjarje që cilësohet si më e renda që nga koha kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008.

“Tani po shqyrtojmë nëse kjo rritje duhet të jetë më afatgjate, nëse ka nevojë për kapacitete të reja, por deri më tani kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm duke shtuar numrin e trupave tona. Gjithashtu u bëjmë thirrje edhe Prishtinës edhe Beogradit që të angazhohen në mirëbesim në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe besojmë se propozimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe mund të jetë një hap i rëndësishëm përpara për ta çuar këtë dialog në një drejtim më konstruktiv”, tha sekretari Stoltenberg.

Agjencia e lajmeve Reuters publikoi pamje të një toge ushtarësh britanikë duke ecur nëpër një rrugë me baltë në veri të Kosovës për të kontrolluar nëse ndonjë gjë e paligjshme po hyn në vend nga Serbia, pas sulmit të dy muajve më parë.

“Aktualisht jemi në veri të Kosovës në qendër të Portës Një, e cila është pikë e autorizuar e kalimit kufitar me Serbinë. Aktualisht jemi këtu në një patrullë rutinë, e cila përbëhet nga të kuptuarit e modeleve të jetesës dhe sigurimit të informacioneve për çdo aktivitet të paligjshëm ose të dyshimtë të cilat më pas i kthehen KFOR-it e më lart, për t’i ndihmuar në vendimmarrjen e tyre”, tha oficeri i tupave britanike, Joss Gaddie.

Ushtarët britanikë, po patrullojnë në turne 18 orëshe për të siguruar që asnjë armë apo individ i armatosur të mos hyj në Kosovë.

Udhëheqësit e Kosovës shprehën sot përkushtimin e tyre për anëtarësimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në NATO, duke theksuar se kjo do të siguronte paqe të qëndrueshme në rajon. Ata i bënë këto komente gjatë një ceremonie për shënimin e Ditës së kësaj force, që është shndërruar në ushtri të Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës në më pak se tri vjet ka bërë më shumë se dyfishim të buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes, ka bërë gati trefishim të investimeve në armatim dhe më shumë se katërfishim të trajnimeve dhe shkollimeve të oficerëve dhe ushtarëve tanë jashtë vendit. Konkretisht për më pak se 32 muaj kemi dërguar 3459 ushtarë e oficerë jashtë vendit”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Sot Forca e Sigurisë është forcë e cila është trajnuar në bazë të standardeve më të larta të NATO-s, e cila jep kontribut jo vetëm për paqen dhe sigurinë në rajon por dhe përtej duke shërbyer së bashku me forcat amerikane, forcat e Mbretërisë së Bashkuar dhe ushtri të tjera aleate nëpër vende të ndryshme të botës në misione paqeruajtëse, duke dëshmuar kështu se ajo është e gatshme t’i bashkohet ushtrive tjera aleate ne aleancën më të fuqishme në historinë e njerëzimit, në aleancën e NATO-s”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Sulmi ndaj policisë së Kosovës ka shtuar shqetësimet se Rusia mund të përpiqet të destabilizojë Ballkanin Perëndimor për të hequr vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë. Nën trysninë e zhvillimeve në terren, diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje për të përshpejtuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke i kërkuar Prishtinës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ndërsa Beogradit njohjen de fakto të Kosovës. /VOA

/GazetaSinjali/