Një votim në asamblenë e një qarku të Pragës për të hequr një statujë të mareshalit sovjetik, Ivan Konev, shkaktoi përplasje diplomatike midis Rusisë dhe Republikës Çeke.
Ministria e Jashtme e Çekisë thirri të premten në bisedë informative ambasadorin rus, për shkak të komenteve të një ligjvënësi në Moskë, të cilat e krahasonin kryetarin e qarkut Praga 6 – që ka votuar për heqjen e statujës – me nazistët.
Ministria e Jashtme e Rusisë e kundërshtoi këtë vendim, duke thënë se “nuk do të kalojë pa përgjigje”.
Disa e shohin Konevin, forcat e të cilit kanë çliruar pjesën më të madhe të territorit të Çekosllovakisë në Luftën e Dytë Botërore, si zbatues të rregullave sovjetike në Evropën lindore dhe qendrore, për shkak të rolit që ka luajtur pas konfliktit.
Statuja e komandantit ushtarak sovjetik është përdhosur disa herë – herën e fundit më 21 gusht, në përvjetorin e pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë, më 1968.
Por, të tjerë e respektojnë dhe shpesh vendosin lule pranë saj.
Presidenti çek, Millosh Zeman, i cili ka marrëdhënie të ngushta me kreun e Kremlinit, Vladimir Putin, tha se statuja duhet të mbetet në vend dhe e kritikoi propozimin e kryetarit të qarkut Praga 6, Ondrej Kolar, për largimin e saj./Gazeta Sinjali/