image Stano: Shteteve të BE-së u është ndarë drafti me masat që do të merren ndaj Kosovës, nëse s’ka shtensionim urgjent të situatës

Politikë

Stano: Shteteve të BE-së u është ndarë drafti me masat që do të merren ndaj Kosovës, nëse s’ka shtensionim urgjent të situatës

news image

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se me shtetet anëtare të bllokut janë ndarë disa nga masat të cilat do të ndërmerren ndaj Kosovës, nëse sipas tij, kryeministri, Albin Kurti, nuk ndërmerr hapat adekuat dhe menjëherë të ulë tensionet në veri.

Stano shtoi se BE-ja ende nuk ka parë ndonjë hap vendimtar dhe urgjent nga kryeministri Kurti për të de-përshkallëzuar situatën.

“Ngjarjet e fundit në veri të Kosovës vetëm dëshmojnë se përshkallëzimi është ende duke vazhduar, dhe kjo është në kundërshtim me interesat e Kosovës dhe të gjithë popullit në Kosovë. Ne kemi ndarë me shtetet anëtare të BE-së një draft të masave që duhet të ndërmerren, nëse kryeministri Kurti nuk ndërmerr hapa adekuat dhe urgjent për deeskalimin e situatave dhe uljen e tensioneve”, tha Stano në një përgjigje për Euronews në gjuhën serbe.

Gjatë ditës së djeshme u raportua se Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri

Kështu raporti Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike.

Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.

Sanksioni tjetër pritet të përfshijë punën e përbashkët të grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së, e të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).

Do të ketë edhe pasoja financiare për Kosovën. Është planifikuar një pezullim domethënës i financimit nga ana BE-së i disa projekteve për të cilat ka dhënë propozime Kosova në kuadër të Fondit investues për Ballkanin Perëndimor.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti gjatë ditës së djeshme tha se ua ka paraqitur bashkësisë ndërkombëtare planin e tij 5 pikësh për shtensionimin e situatës në veri.

Në planin e Kurtit, u përfshi edhe organizimi i zgjedhjeve të reja në katër komuna në veri, zvogëlimi gradual i policisë dhe rifillimi i menjëhershëm i dialogut Kosovë-Serbi.

/GazetaSinjali/