image Stano 'godet' operacionin policor në veri: Është esakalues, kundër frymës së normalizimit, pengon negociatat

Politikë

Stano ‘godet’ operacionin policor në veri: Është esakalues, kundër frymës së normalizimit, pengon negociatat

news image

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka shpërndarë reagimin e sotëm ndaj veprimeve të Policisë së Kosovës në Veri. Ai në profilin e tij në “X” ka numëruar katër problematikat që thotë t’i ketë operacioni i fundit në veri të Kosovës e që lidhet me dinarin.

Stano ka thënë se operacioni çon në eskalim, është kundër frymës së normalizimit dhe pengues i vazhdimit të negociatave dhe tregon që Kosova prioritet i ka veprime e njëanshme dhe të pa koordinuara sesa bashkëpunimin.

“Operacioni policor në Veri: është esakalues, është kundër frymës së normalizimit, pengon vazhdimin e negociatave dhe provon përsëri, që autoritetet e Kosovës kanë prioritet veprimet unilaterale, të pakoordinuara sesa bashkëpunimin”, ka shkruar Stano.

Gjatë aksionit të së hënës, autoritetet në Kosovë i mbyllën gjashtë objekte të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Gjatë aksionit, që autoritetet e Kosovës thanë se kishte të bënte me vendosjen “e rendit dhe ligjshmërisë”, u konfiskuan prova të ndryshme, përfshirë para.

Kosova dhe Serbia janë takuar shtatë herë muajt e fundit në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për ta gjetur një zgjidhje për dërgimin e ndihmës financiare nga Serbia për serbët e Kosovës, por nuk kanë gjetur pajtim deri tani.

Pas takimit më të fundit javën e kaluar, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se takimi dështoi pasi pala serbe erdhi me propozime të reja për çështjen, e jo me përgjigje. Ndërsa kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, tha se pala kosovare i “refuzoi të gjitha propozimet”.

Aksioni i autoriteteve të Kosovës u krye një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se ka përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Rregullorja e BQK-së, që hyri në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave.

/GazetaSinjali/