image Stanishiqit i ulet dënimi për 5 vjet për vrasjen e 13 civilëve gjatë luftës në Kosovë

Drejtësi

Stanishiqit i ulet dënimi për 5 vjet për vrasjen e 13 civilëve gjatë luftës në Kosovë

news image

Gjykata e Apelit e ka aprovuar pjesërisht si të bazuar ankesën e mbrojtësit të të dënuarit për vrasjen e 13 civilëve gjatë luftës në Kosovë, Goran Stanishiq, duke ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë ndaj tij, përkitazi me vendimin mbi dënim, ashtu që të njëjtit ia ka ulur dënimin nga 20, në 15 vjet burgim.

Më 5 tetor 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë, Goran Stanishiqin e kishte dënuar me 20 vite burgim për vrasjen e 13 civilëve gjatë luftës në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndërsa, Apeli më 27 shtator 2022, kishte shqyrtuar ankesën e mbrojtjes, ku ishte kërkuar që Stanishiq të lirohet nga akuza apo që çështja të kthehet në rigjykim.

Në vendimin e Apelit, i cili rezulton të jetë publikuar më 27 tetor 2022, thuhet se Stanishiq gjykohet me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 15 vitesh, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

“Aprovohet pjesërisht si e bazuar ankesa e mbrojtësit të akuzuarit G.S., av. Lubomir Pantoviq, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.11/2020, datë 05.10.2021, ndryshohet përkitazi me vendimin mbi dënimin, ashtu që Gjykata e Apelit të akuzuarin G.S. për veprën penale për të cilën është shpall fajtor e gjykon me dënim me burgimi në kohëzgjatje prej 15 (pesëmbëdhjete) vite, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 20.07.2019 e tutje”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Kjo gjykatë, ka gjetur se pretendimet e mbrojtësit të të dënuarit Stanishiq, avokatit Lubomir Pantoviq, përkitazi më vendimin mbi dënim janë të bazuara.

Sipas Apelit, me të drejtë theksohet në ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit se maksimumi i dënimit me burg, i cili në këtë rast ka mundur t’i shqiptohet të akuzuarit ka qenë dënimi me burg në kohëzgjatje prej 15 vitesh, andaj, edhe gjykata e shkallës së dytë e ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë lidhur me vendimin për dënim nga 20 në 15 vite burgim, ngase ka gjetur se maksimumi i dënimit për këtë vepër penale është më i vogël se sa maksimumi i dënimit që ka gjetur Themelorja, andaj edhe vendosi si në dispozitiv të këtij aktgjykimi.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Stanishiqi si pjesëtar i forcës policore rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në muajin prill të vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake paramilitare dhe policore serbe kundër popullatës civile shqiptare, në fshatrat Sllovi dhe Tërbovc, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të këtij njësiti, kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare dhe në kryerjen e vrasjeve dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme.

Sipas prokurorisë, Stanishiq në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësitit rezervist të policisë serbe dhe persona të tjerë të armatosur, ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile” nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të ish-Jugosllavisë, aktualisht e penalizuar si Krimet e Luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të Konventës së Gjenevës nga neni 146, paragrafi 1, dhe neni 2, nënparagrafi 2.1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

/GazetaSinjali/