image Srpska alarmon ndërkombëtarët: Prokuroria Speciale po i ndjek 70 qytetarë tanë

Rajon

Srpska alarmon ndërkombëtarët: Prokuroria Speciale po i ndjek 70 qytetarë tanë

news image

Kreu i Listës Serbe dhe njëherësh ministër për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, ka thënë që do të ketë “një mosbindje totale civile në veri”, nëse Policia e Kosovës fillon me arrestime.

Ai gjithashtu tha se Lista Serbe “do të bëjë gjithçka që mundet për të mbrojtur njerëzit e saj”, raporton Kosovo Online.

Rakiq tha se sot janë mbajtur takime urgjente me përfaqësues ndërkombëtarë dhe se arsyeja e këtyre takimeve, sipas tij, ka qenë fillimi i procedurës kundër serbëve në Kosovë dhe se aktualisht janë duke u zhvilluar procedura kundër më shumë se 70 serbëve.

“Prokuroria Speciale e Kosovës ka iniciuar procedura kundër qytetarëve tanë, biznesmenëve, kryetarëve të komunave, deputetëve, përfaqësuesve politikë, për atë siç pretendon Prishtina, sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës. Arsyeja ishte protesta kundër lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës vitin e kaluar. Ky është një persekutim me motive etnike e politike ndaj popullit tonë. Sipas informatave që kemi, në pyetje është një procedurë për mbi 70 qytetarë tanë”, tha ai.

Rakiq tha se ka bërë thirrje që askush të mos i përgjigjet kësaj ftese.

“Prandaj, askush nga qytetarët tanë, biznesmenët, përfaqësuesit politikë, nuk duhet ta pranojnë këtë ftesë, as t’i përgjigjen asaj”.

Ai ka thënë se serbët e Kosovës duan ta ruajnë paqen, “por edhe qëndrimi tolerant i tyre ka kufi”.

“Nëse Prishtina fillon me lëvizje të njëanshme, Zoti na ruajt, duke arrestuar qytetarët tanë, atëherë ne do të detyrohemi të rezistojmë me të gjitha mjetet demokratike dhe jodemokratike, që përfshin mosbindje totale civile për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve tanë”, tha Rakiq.

Ai tha se Lista Serbe i ka njoftuar ambasadorët e Kuintit, por edhe përfaqësuesit e BE-së dhe ka kërkuar “që ta frenojnë Prishtinën të mos shkaktojë kaos në veri të Kosovës”.

“Ne mbështesim shtetin e së drejtës, por ky nuk është shtet i së drejtës, por dhunë institucionale që persekuton popullin tonë. U bëjmë thirrje qytetarëve për unitet, kjo nuk është çështje politike, por çështje e mbijetesës në këto pjesë”, tha Rakiq.

/GazetaSinjali/