Në praninë e zëvendësministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Krasniqi, ish-ministrit Memli Krasniqi, Eroll Salihut, deputetëve, përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme, si dhe në mesin e shumë përfaqësuesve të sportit, miqve e sportdashësve, sot në Prishtinë u hap Ekspozita “Lobimi përmes aparatit fotografik”, nga Blerim Uka.
Sipas, Blerim Ukës, autor i Ekspozitës, kjo është një rrëfim i historisë së sportit në Kosovë. Është një dëshmi, e cila kronologjikisht paraqet rrugëtimin e futbollit të Kosovës, e që është njëra anë e historikut të shoqërisë kosovare.
Fotografitë e paraqitura në Ekspozitë, paraqesin katër etapa të rëndësishme për futbollin e Kosovës, të cilat janë ndarë sipas periudhave, e të cilat përfshijnë: Historikun, Lobimin, Pranimin dhe Ndërkombëtarizimin.
“Përmes aparatit fotografik kam arritur të ruaj këtë faktografi të historikut të sportit në Kosovë, në veçanti të futbollit. Në periudhën më të rëndësishme të pranimit të tij, kam arritur që të jem në vende të ndryshme, të takoj personalitete të fuqishme, të cilat iu patën bashkuar nismës sime kreative për nënshkrimin për pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA”, ka thënë Uka.
Uka, ndër tjera ka thënë se sfidat ishin të mëdha, por më i madh ishte vullneti e përkushtimi i njerëzve sportdashës.
Të pranishmëve me një fjalë u është drejtuar edhe Eroll Salihu, i cili ka falënderuar Blerim Ukën për punën e jashtëzakonshme.
Ekspozita “Lobimi përmes aparatit fotografik”, nga Blerim Uka, u përkrah nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ekspozita do të jetë e hapur me datën 6 dhe 7 dhjetor, në hotel “Sirus”, të interesuarit mund ta vizitojnë nga ora 11:00 deri në 17:00.