QKUK-në çdo ditë po e braktisin kuadro me vlerë, të cilët tashmë kanë lënë zbrazëtirë dhe vështirësi në ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore. Punëtorët e shëndetësisë kanë zgjedhur të lënë këtë institucion publik për të vazhduar në spitale private apo jashtë shtetit.
Braktisjes së QKUK-së iu shtuan edhe dy anesteziologë, Dafina Matoshi e Burhan Hadri. Lajmin për Gazetën Sinjali për ikjen e anesteziologëve e ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë, Gazmend Spahija.
Punën në këtë klinikë pritet ta lë edhe Myzajene Kryeziu, largimi i anesteziologës së tretë ende nuk është zyrtar.
“Më 26 shtator largohen, por për momentin janë në pushim vjetor. Anesteziologia tjetër ende nuk e ka nënshkruar vendimin zyrtar për dorëheqje, doktoresha Myzejene Kryeziu”, ka deklaruar Spahija.
Ai deklaroi se me këtë numër të vogël të anesteziologëve po mundohen të ofrojnë shërbim ndaj pacientëve dhe thotë do të rritet lista e pritjes për të kryer intervenime kirurgjike.
“Anesteziologët po e lënë vendin e tyre të punës në QKUK për shkak të kujdestarisë së shpeshtë dhe ofertave më të mira në spitale private’, shtoi Spahija.
Sipas tij kushtet për punë në QKUK janë të mira por pagat janë të vogla, dhe së bashku e Ministrinë e Shëndetësisë po punojnë për ligjin e pagave.
Nehat Baftiu, ish-drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë ka thënë se derisa kemi pasur numër të caktuar të anesteziologëve, kur kemi punuar me kapacitet te plotë, përsëri pacientët kanë dalë jashtë shtetit apo në spitale private. Ata që kanë sigurime shëndetsore dhe ata që kanë mjete financiare më shumë orientohen diku ku mendojnë se është më mire edhe pse Baftiu thotë se tek spitalet publike është më mirë.
“Paga e personelit shëndetsor duhet të rritet 5/6 herë ose 10 herë, sepse e tillë është kudo në Evropë”, deklaroi Baftiu.
Ai shton se nuk është e mundur që një anesteziolog të ketë pagën më të vogël se një shofer në kuvend apo një pastures në postë.
“Do te krijohen pritje të gjata, mungesa e anesteziologëve do të ndikojë në numrin e pacientëve që do të presin për intervenime kirugjike në insititcione publike, sepse kur kemi punuar me kapacitete të plota anesteziologët kanë punuar 5/6 herë në javë me tre salla tash punohet vetëm me një sallë dhe 3 ditë, normale që ata nuk kanë mundësi që brenda orarit, nga ora 7 deri në orën 2 të polotësojnë normën se sa pacient kërkojnë ndihmë për intervenim kirugjik”, përfundoi Nehat Baftiu
Gjatë tri viteve të fundit punën në QKUK e kanë lëshuar 16 anesteziologë. Aktualisht në QKUK janë 48 anesteziologe por të cilët janë të pamjaftueshëm.