Pas përfundimit të angazhimeve të Kombëtares së Kosovës, rikthehet emocionet e kampionatit vendor në hendboll, ku gara për titullin kampion në Superligën e Kosovës në konkurrencën e meshkujve po hyn në fazën vendimtare.
Skuadra e Rahovecit tashmë është kualifikuar në finale pas dy fitoreve radhazi, ndërsa sfida për finalistin tjetër do të vendoset të enjten, në përballjen e tretë dhe të fundit mes Kastriotit dhe Besa Famgasit. Ndeshja do të zhvillohet në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, me fillim nga ora 20:00.
Pas dy ndeshjeve të para gjysmëfinale, rezultati në seri është i barabartë 1:1. Këto dy ekipe kanë ofruar spektakël të vërtetë në javët e fundit, me tri ndeshje shumë të forta dhe emocionuese.
Fillimisht, Kastrioti triumfoi ndaj Besa Famgasit në finalen e Kupës së Kosovës, e cila u zhvillua po ashtu në Ferizaj, përpara mbi 3 mijë tifozëve.
Më 1 maj, ferizajasit e fituan ndeshjen e parë të ‘Play-off’-it me rezultat dramatik 38:37. Ndërsa më 3 maj, në Pejë, Besa Famgas reagoi fuqishëm dhe fitoi ndeshjen e dytë me rezultat 31:29, duke barazuar serinë.
Tani gjithçka do të vendoset në sfidën vendimtare të së enjtes, ku pritet një tjetër ndeshje e hapur, me intensitet të lartë dhe atmosferë të zjarrtë në tribunat e palestrës në Ferizaj.
Organizatorët presin një numër të madh tifozësh që do të jenë dëshmitarë të kësaj përballjeje që do të përcaktojë finalistin e madh të këtij edicioni në Superligën e hendbollit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!