image Specialja sqaron komunikatën ku thuhej se UÇK ka pasur për synim vrasjen e katolikëve

Kosovë

Specialja sqaron komunikatën ku thuhej se UÇK ka pasur për synim vrasjen e katolikëve

news image

Të katërtit janë përfshirë në një aktakuzë.

Por, ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, do të dalin ndaras para gjyqtarit të procedurës paraprake, në seancën fillestare.

Mbi të gjithë rëndojnë akuza për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Ndërsa pretendimet e prokurorit të parit do t’i lexohen ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, të hënën në ora 11:00.

Pas tij, në sallën e gjyqit do të paraqitet edhe ish-drejtori politik i UÇK-së, Hashim Thaçi.

“Paraqitja fillestare e Jakup Krasniqit do të bëhet të hënën, më 9 nëntor në ora 11:00 dhe paraqitja fillestare e Hashim Thaçit do të bëhet në ora 15:00 të së njëjtës ditë. Paraqitja Fillestare e Hashim Thaçit do të jetë një dëgjesë publike. Gjatë një paraqitjeje fillestare, gjyqtari i procedurës paraprake sigurohet që të drejtat e të Akuzuarit, duke përfshirë të drejtën për përfaqësim ligjor, të respektohen dhe që i Akuzuari të kuptojë akuzat kundër tij ose të saj”

Përveç Thaçit e Krasniqit, Gjykata Speciale tashmë i ka konfirmuar aktakuzën edhe ish kreut të PDK-së, Kadri Veselit, si dhe deputetit të VV-së, Rexhep Selimit.

Kadri Veseli do të dalë në seancë fillestare të martën, ndërsa Rexhep Selimi do të dëgjojë pretendimet e prokurorit të mërkurën.

Me transferimin në Hagë të ish-ushtarëve të UÇK-së, Gjykata Speciale bëri publike aktakuzën, ku tregoheshin veprat që rëndojnë mbi ta.

Por, shumë reagime në Kosovë nxiti një pjesë e komunikatës zyrtare ku thuhej se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare për synim kishin vrasjen e katolikëve.

Për këtë çështje, nga Haga, kanë thënë se njoftimi për shtyp i referohet llojeve të ndryshme të viktimave të pretenduara në përgjithësi.

“Versioni i redaktuar i aktakuzës thotë se të akuzuarit kanë kryer krime ndaj atyre që mendohet që kanë qenë kundërshtarë. Aktakuza i definon kundërshtarët si persona që kanë qenë ose janë të dyshuar se kanë qenë: nën A, si bashkëpunëtorë të forcave serbe. B: që nuk kanë mbështetur qëllimet dhe pikëpamjet e UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, përfshirë këtu persona që lidhen me LDK-në dhe persona të komuniteteve serbe, rome dhe të tjera. Njoftimi për shtyp i referohet llojeve të ndryshme të viktimave të pretenduara në përgjithësi”, thuhet në përgjigjen e tyre për T7.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u arrestuan gjatë kësaj jave dhe u transferuan në Hagë.

Ndërsa, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dha dorëheqje nga kjo pozitë sapo mori njoftimin se ndaj tij është konfirmuar aktakuza./Gazeta Sinjali/