image Specialja pritet të ushtrojë aktakuzat e para në shtator

Specialja pritet të ushtrojë aktakuzat e para në shtator

news image

Prokuroria Speciale deri më tani ka ftuar për intervistim në cilësinë e dëshmitarëve dhe të të dyshuarve rreth 100 ish-pjesëtarë të UÇK-së, në mesin e tyre edhe ish-eprorë e komandantë, derisa në shtator të këtij viti pritet edhe ngritja e aktakuzave të para.

Gjykata Speciale, e cila para më shumë se shtatë muajve ka filluar me dërgimin e ftesave të para për ish-komandantë e pjesëtarë të UÇK-së, pritet që në shtator të këtij viti pas rreth 100 ftesave të dërguara të fillojë edhe me ngritjen e aktakuzave të para. Kështu ka deklaruar për media kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili ka bërë të ditur që muaji shtator dhe muaji tetor do të jenë muajt e aktakuzave të para.

“Dita-ditës po shtohet numri i ftesave të veteranëve të luftës nga Gjykata Speciale. Numri ka arritur mbi 90, afër100. Sipas informacioneve që kam, dje janë lajmëruar edhe disa pjesëtarë të UÇK-së, të cilët kanë marrë ftesë nga Prokuroria Speciale, por që ende nuk janë bërë publikë për medie. Po ashtu në muajin shtator dhe në muajin tetor të këtij viti pritet të ngrihen aktakuzat e para, mirëpo nuk ka diçka konkrete, vetëm informata jozyrtare”.

Po ashtu ka theksuar që shumë pjesëtarë të UÇK-së, të cilët kanë marrë ftesë për intervistim, nuk i kanë bërë publike ftesat e tyre për arsye të ndryshme.