image Specialja bojkotoi raportimin e ekspertëve britanikë, Misetic: E drejta për gjykim publik, themel i të drejtave të njeriut

Drejtësi

Specialja bojkotoi raportimin e ekspertëve britanikë, Misetic: E drejta për gjykim publik, themel i të drejtave të njeriut

news image

Avokati i presidentit Hashim Thaçi, Luka Misetic, ka reaguar sot pasi Gjykata Speciale nuk ka lejuar raportimin e Avokatit të Popullit të Kosovës dhe ekspertëve britanikë lidhur me procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë.

Misetic ka vlerësuar rolin e Avokatit të Popullit të Kosovës dhe Komitetit për të Drejtat e Njeriut të Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, duke theksuar rëndësinë e tyre në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe garantimin e transparencës në proceset gjyqësore.

“E drejta për një gjykim publik është një gur themeli i jurisprudencës së të drejtave të njeriut. Mbikëqyrja nga publiku siguron llogaridhënie institucionale, duke i mundësuar publikut të monitorojë prokurorët dhe gjykatat, në mënyrë që shkeljet procedurale dhe materiale të mund të identifikohen dhe korrigjohen”, ka shkruar Misetic.

Në reagimin e tij, ai ka shprehur edhe kritika ndaj disa organizatave të njohura ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, duke argumentuar se qasja e tyre ndryshon kur bëhet fjalë për proceset gjyqësore ndërkombëtare.

“Për fat të keq, gjatë gati 30 viteve të praktikës sime para gjykatave dhe tribunaleve ndërkombëtare, kam vërejtur se organizatat e mëdha joqeveritare, si Human Rights Watch dhe Amnesty International, të cilat mbrojnë me vendosmëri të drejtat e të akuzuarve në nivel kombëtar, shpesh ndryshojnë qasje në nivel ndërkombëtar dhe përfundojnë duke mbrojtur vetë institucionet. Ky ndryshim sistemik i lë të pandehurit në proceset ndërkombëtare të izoluar, pa monitorimin objektiv të jashtëm që është i nevojshëm për të garantuar të drejtat e tyre”, ka shtuar ai.

Sipas Misetic, përfshirja e institucioneve të pavarura në monitorimin e procesit është thelbësore për ruajtjen e standardeve të një gjykimi të drejtë dhe publik.

“Avokati i Popullit i Kosovës dhe Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit meritojnë vlerësim për faktin se po i japin kuptim konkret dhe zbatim real të drejtës për një gjykim publik në procesin Thaçi dhe të tjerët”, ka përfunduar Misetic.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/